Shkup, 21 tetor – Siguria është nevojë elementare e bazike për të jetuar kudo në cilin do vend. Por, krahas mungesave tjera që janë të shumta në rajonin tonë mungon edhe siguria. Mungesa e sigurisë prodhon ndjenjën e frikës dhe të qenurit i pasigurt në vendin ku vepron dhe kjo nuk i shërben një të ardhmeje të shëndoshë. Shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë të mërkurën se gjendja e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimorë është e brishtë, duke përmendur në veçanti atë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë. Ky mesazh nuk tingëllon aspak mirë në veshët e qytetarëve të këtij rajoni, për faktin se qytetarët derisa po luftojnë për të mbijetuar po rrezikohen nga një luftë e ashpër që përfshin tërë rajonin, shkruan Zhurnal.
Pasiguria po troket në derën e Ballkanit Perëndimor –
Luftat në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë edhe pse po zhvillohen në gjeografi tokësore larg rajonit tonë, nuk duhet qëndruar neglizhent se gjasat për t’u bartur konflikti edhe në Ballkan janë të pamundshme, kur dihet se në disa vende rajonale ekziston politike e brishtë me tendenca për konflikt, thotë njohësi i politikës ndërkombëtare, Mersel Bilalli. Luftat dhe konfliktet në rajonet aktuale në botë i konsideron të larta dhe dramatike.
“Jam i mendimit se Ballkani është një bure baruti permanent. Edhe kur kemi paqe në të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, ajo është pra si një fitil i ndezur, aq më shumë kur tani e kemi të acaruar situatën në të gjithë botën, duke përfshirë edhe Evropën, Ukraina dhe Rusia, por edhe Ballkani. Kështu që, është një situatë të cilën ndoshta fati mund ta ndihmon më shumë se racionaliteti. Duhet shpresuar më mirë por duke pasur gjithmonë parasysh se situata është shumë dramatike.”, tha njohësi i politikës ndërkombëtare, Mersel Bilalli për TVM2.
Drejt një shkatërrimi më të madh mund të vijmë po qe se Izraeli vazhdon të hapë fronte të reja me vendet përqark Lindjes, thotë Bilalli. Sipas tij, edhe pse janë vënë në përpjekje instanca të larta të organizatave ndërkombëtare për t’i shuar konfliktet, erën e barutit mund ta ndërpret vetëm SHBA-ja si fuqi më e madhe në botë.
“Nuk mendoj se janë të gabuara konstatimet se ne praktikisht gjendemi në njëfarë faze të luftës së tretë botërore. Faza kritike pritet të ndodhë pra nëse Izraeli bombardon Iranin duke përfshi një dozë të madhe të rrezikut, reaktorët nuklearë të përfshihen, kështu që praktikisht ne kemi një luftë edhe nukleare në këtë drejtim dhe është vetëm çështje e fatit që mund të na ndihmon, por megjithatë SHBA-ja është sërish faktor kyç për pengimin e një tragjedie të tillë.”, tha Bilalli për TVM2.
Profesori universitar Bilalli zgjidhjen e një paqeje afatgjate globale e sheh tek intervenimi adekuat që e dikton rendi botëror, i cili në mileniumin e ri u ndërtua në baza të aleancave të reja dhe ndryshimit të fuqive ekonomike në skenën ndërkombëtare. Për të, momentalisht institucionet ndërkombëtare nuk funksionojnë, OKB-ja ekziston vetëm në letër dhe në praktikë duket më tepër si organizatë joqeveritare sesa si organizatë universale, më e vjetra pas Lidhjes së Kombeve.
Situata në rajon aspak stabile paralajmërime për një konflikt të mundshëm –
Shefi i ri i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë të mërkurën se gjendja e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimorë është e brishtë, duke përmendur në veçanti atë në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë.
“Situata në Ballkanin Perëndimor mbetet shqetësuese me kërcënimet për ndarje në Bosnje e Hercegovinë, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë dhe përparimin e vogël në dialogun e lehtësuar nga BE mes Beogradit dhe Prishtinës“, tha Rutte për gazetarë në prag të takimit të Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s.
Gjendja e sigurisë në Kosovë mbetet e tensionuar prej vitit të kaluar, veçanërisht pas një sulmi nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, si pasojë e të cilit u vra një polic dhe tre sulmues. Së voni, NATO-ja ka zhvendosur trupa në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, duke thënë se ata dërgojnë “mesazh të qartë” të vendosmërisë të fortë të NATO-s dhe përkushtimit për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe aftësitë e aleancës dhe gatishmërinë për t’u përgjigjur.
Rutte u zotua se NATO-ja do të mbetet fuqishëm e përkushtuar për misionin e vet në Kosovë, KFOR, i cili ka mbi 4.400 trupa ushtarake në vend.
“Për më shumë se dy dekada KFOR-i ka ruajtur një ambient të qetë dhe sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes. Përkushtimi i NATO-s për KFOR-in mbetet i fuqishëm edhe sot“, theksoi Rutte.
NATO-ja e ka shtuar praninë e saj në Kosovë gjatë vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe. KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës që është e para dhe pas misionit të BE-së për sundim të ligjit, EULEX.Misioni i NATO-s në Kosovë po ashtu është përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë.
Prandaj, edhe secili shtet i rajonit duhet të krijojë mekanizma të posaçme për mbrojtje ndaj ndikim rus, i cili shpesh herë është i formave të ndryshme. Më i shpeshti dhe më së shumti që përdoret është ndikimi përmes mediave, pastaj sigurisht edhe përmes ndikimit ekonomik dhe atij politik përmes zgjatimeve të tyre që i kanë pothuajse në secilin shtet. Në Maqedoninë e Veriut si parti politike e cila përkrah fuqishëm orientimin pro lindor dhe është kundër NATO-s dhe BE-së është e Majta e udhëhequr nga, Dimitar Apasiev, i cili hapur dhe publikisht mbështet interesat ruse, madje edhe në kohën kur Maqedonia e Veriut sanksioni Rusinë për invazionin rus, kryetari i kësaj partie u taku me ambasadorin rus në Shkup. /Zhurnal.mk