36 orë nga hapja e thirrjes për abonentët familjarë për vendosjen e paneleve diellore për ngrohjen e ujit janë regjistruar 1000 aplikantë.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vuri në dukje këtë fakt në një postim në rrjetet sociale.
Sipas saj, i gjithë procesi është online dhe transparent.
Qytetarët nisën dje aplikimet për të përfituar subvencion nga Agjencia e Eficiencës së Energjisë, në masën 70 % për instalimin e paneleve me ngrohje diellore. Skema për nxitjen e përdorimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit nga klientët familjarë synon reduktimin e konsumit të energjisë elektrike dhe përmirësimin e furnizimit me ujë të ngrohtë sanitar dhe reduktimin e emetimeve të CO2.
Kjo është thirrja e dytë për aplikim, e cila i drejtohet klientëve familjarë të interesuar për marrjen e shërbimit të instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit për deri në 2 mijë konsumatorë familjarë, të cilët do të përzgjidhen për të përfituar nga kjo skemë mbështetëse. 