Zëvendëskryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë në seancën e sotme plenare iu drejtua deputetëve të opozitës se nuk do dëgjoni kurrë akuza, sharje e as kërcënime për drejtësinë e re nga ana e saj.
Në fjalën e saj në seancën plenare të Kuvendit ku po shqyrtohet paketa fiskale dhe projektbuxheti i 2026-ës, Balluku tha se “dua të them disa fjalë jo për të kompensuar baltën, aludimet gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat e thëna me bollëk këto kohë, por për detyrimin që kam ndaj kujtdo në këtë vend që beson tek puna dhe jo tek balta”.
“Nuk do dëgjoni kurrë nga unë akuza, sharje e as kërcënime për drejtësinë e re, edhe kur prekem personalisht, as lëvdata e himne, pasi besoj se thellësisht se kjo drejtësi e re e dalë nga reforma produkt i vullnetit politik të Partisë Socialiste dhe të Edi Ramës është duke kryer misionin për të cilin u reformua, patjetër me pikat e saj të dobëta, me pikat e saj të forta, por si gjithçka e re konsolidohet dita ditës”, nënvizoi Balluku.
Balluku u shpreh se “nuk do të dëgjoni kurrë të merrem me prokurorë e gjyqtarë, pasi secili prej tyre bën detyrën ashtu si e gjykon. Nuk do të prononcohem kurrë për çështje në hetime, pasi ato kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë deri sa e vërteta të marrë formë të prerë cilado qoftë ajo”.
Por, vijoi Balluku, si gjithë kolegët e mi të PS mbështes reformën në drejtësi e produktet e saj edhe kur prekemi personalisht.
Pasi, vijoi Balluku, ndryshe nga sa thoni e mendohet PS është një formacion politik serioz, i vetmi në Republikën e Shqipërisë ku fjala e secilit dëgjohet dhe fjala e secilit ka peshë.
“Ajo reformë ka marrë mbështetjen e çdo socialisti, ndaj në respekt të misionit të saj nuk kam asnjë koment”, tha Balluku.
Zv/kryeministrja Balluku tha se “çështja qëndron se ju të nderuar opozitarë që na ndiqni nga kafja e parlamentit në këto momente, keni dy standarde për sa i përket reformës në drejtësi dhe përsa i përket SPAK-ut”.
“Kur SPAK thërret Saliun dhe lozni kukafshehti me zarfin, i cili është zarfi që pret 15 vite populli shqiptar për drejtësi, për një vrasje shtetërore në 21 janar, atëherë SPAK-u ndikohet nga Edi Rama, kur SPAK-u thërret Sali Berishën dhe e mban në arrest shtëpie përditë e përmuaj dhe më pas kur sot është i pandehur në GJKKO për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë atëherë Edi Rama e ndikon SPAK-un”, tha Balluku.
Balluku theksoi se “por kur sipas jush merret me mazhorancën atëherë ju bëheni martirët e drejtësisë, bëheni britmat dhe klithma e saj. Deputetë opozitarë detyra e një opozitë është oferta politike e saj. Ndryshe nga oferta politike e mazhorancës, rotacionin që kaq shumë e doni nuk mund ta bazoni me pathos se kë do të kapë SPAK-u nga mazhoranca. Jeni kthyer në një tifozeri sedentare aman t’i heqë SPAK-u këta që të vijmë ne. Por rotacioni bëhet me votë e jo me lutje e duartrokitje”,
“Sot buxheti 2026 është premtimi i mbajtur i ofertës politike të Edi Ramës. Kush është alternativa juaj, çfarë i ofroni ndryshe shqiptarëve? Partia Socialiste është e vetmja që ka një ofertë politike sot për vendin. Ju keni emrin Partia Demokratike, por demokracinë brenda partisë nuk keni lidhje”, tha Balluku.
Balluku theksoi se “tek ju për të qenë pranë faraonit Sali duhet të jesh humbës, duhet të mos kesh formë, shtyllë kurrizore, të jesh një kamaleon politik madje që ndryshon qëndron politik edhe brenda 24 orëve. Është normale që për ju të bëni këtë lloj opozite. Nuk është se nuk na vjen për shtat, por jo, edhe ne do të dëshiron opozitë më të mirë, opozitë serioze, një opozitë që s’e ka luftën personale me askënd, por e ka luftën ideologjike. Ja që nuk e kemi këtë mundësi, unë personalisht e kam të qartë pse jam nën një sulm personal që nuk ka nisur as sot, as ditën që shkova në SPAK, por ka kohë që më ka nisur. Pasi ju nuk e falni as suksesin politik dhe as njeriun që punon, madje ju nuk i falni as ata që dallojnë brenda radhëve tuaja. Ju nuk falni 8 humbje në 12 vitet e fundit dhe ju përmes sulmeve personale ndaj secilit prej nesh mbuloni dështimin tuaj”, tha Ballluku.
Ndërkohë, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi përjashtoi nga salla e parlamentit deputetin Agron Shehaj, i cili në momentin që zv.kryeministrja Balluku po mbante fjalën ka ndërhyrë duke e penguar që të flasë.
Në nisje të fjalës së Ballukut, deputetët e Partisë Demokratike kur mori fjalën zv/kryeministrja Belinda Balluku u larguan nga salla.