Kredia deri 200 mijë lekë: Interesi bie në 54.8%
Qytetarët që marrin kredi konsumatore do të paguajnë më pak deri në korrik 2026. Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë normat maksimale të interesit për kreditë konsumatore. Për shumat deri në 200 mijë lekë, interesi maksimal bie në 54.8%, nga 62.2% që ishte më parë.
Për shumat më të larta
Për kreditë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, interesi maksimal do të jetë 35.4%. Për shumat nga 600 mijë deri në 2 milionë lekë, interesi bie në 14.7%, ndërsa për mbi 2 milionë lekë e deri në 10 milionë, interesi maksimal është 11.94%.
Rregullat për penalitetet mbeten të forta
Banka e Shqipërisë rikujton institucionet financiare dhe jo-bankare për respektimin e rregullores mbi penalitetet në rast të mospagesës së kësteve. Sipas rregullores, penalitetet nuk mund të kalojnë 30% të shumës së kësteve të papaguara.
Historia e vendimit
Vendimi për tavanin e interesit u mor në 2021 dhe hyri në fuqi në 2022, pas abuzimeve nga disa institucione jo-bankare që aplikonin interesa shumë të larta për kredi të shpejta dhe pa kolateral. Në vitin 2022, norma maksimale për kreditë deri në 200 mijë lekë arrinte 171.41%.
Norma Efektive e Interesit
Norma Efektive e Interesit përfshin të gjitha kostot që një kredimarrës paguan: interes, komisione, shpenzime për llogari dhe sigurime. Banka e Shqipërisë ka propozuar gjithashtu që ligji i ri për “Mbrojtjen e Konsumatorit” të caktojë tavan të qartë për interesat e kredive konsumatore.