Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike i është përgjigjur Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, duke theksuar se opozita nuk komunikon me përfaqësues të krimit.
Më herët Spiropali, nga foltorja e Kuvendit theksoi se mazhoranca është e gatshme për dialog, por Bardhi në një prononcim për mediet jashtë Kuvendit tha: “Me Pëllumb Gjokën dhe zëdhënësit e tij nuk komunikojmë, ne jemi përballë krimit të organizuar”.
Bardhi, po ashtu i ka bërë thirrje SPAK sot nga jashtë ambienteve të Kuvendit që të hetojë krimin e organizuar dhe jo të vihet në lëvizje për opozitën dhe deputeten Elda Hoti.
“Qesharake thirrja e Elda Hotit sot në SPAK. Nuk mundet SPAK të vihet në lëvizje pas një thirrjeje të policisë, cilido që ka firmosur atë paçavure, pasi rrezikoi jetën e saj, rrezikoi edhe atë të Elisa Spiropalit. Të harxhojnë kohën me çështje idiote. Të thërrasin Belinda Ballukun për 50 milionë eurot me tunelin e Llogorasë, 150 milionë euro nga shitja e energjisë elektrike, të thirret Erion Veliaj. SPAK duket se është i zënë me “nuhatjet”, nuk e dinim që i paguajmë për të nuhatur, por për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Bardhi.
Sipas Bardhit, policia dhe SPAK duhet të fokusohen te denoncimet dhe krimi i organizuar.
“Njëri nga viktimat në Shkodër, vetëm javë më parë ka denoncuar një atentat të dështuar në qendër të Shkodrës, sot nuk do kishin vdekur tre qytetarë dhe një tjetër që lufton me jetën.
Këtu të fokusohet puna, nuk na intimidojnë kot, nuk kemi vjedhur me 5D dhe incenerarorë e tunele Llogoraje, as nuk trembemi. Sa herë të na thërrasin do shkojmë të tallemi te SPAK, siç u tall sot Elda Hoti me ta. Ne nuk komunikojmë me krimin e organizuar, sepse nuk na lidh asgjë me të”, tha Bardhi.