Bashkëpunim për rifreskimin e drejtësisë dhe ekologjisë!

nga I.A

Shkup, 25 shtator – Drejtësia është faktori kryesor që i bënë qytetarët të ndjehen të sigurt të pa rrezikuar dhe të qetë në vendin ku jetojnë. Ekologjia është siguri e shëndetit të qytetarëve, një vend që i kushton rëndësi ekologjisë ka të garantuar një të ardhme të shëndetshme për të gjithë qytetarët. Avokati i Popullit po fillon një projekt të rëndësishëm për bashkëpunim me sektorin joqeveritar dhe UNDP-në, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në fushën e drejtësisë ekologjike. Bashkëpunimi do të zyrtarizohet me nënshkrimin e një memorandumi, i cili do të mundësojë veprim të përbashkët dhe referim të rekomandimeve tek autoritetet kompetente në lidhje me mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe përmirësimin e situatave. Prandaj, kur investohet në drejtësi e ekologji nënkuptohet se planifikohet ndërtim i së ardhmes, shkruan Zhurnal.

Bashkëpunim për drejtësinë dhe ekologjinë –

Avokati i Popullit po fillon një projekt të rëndësishëm për bashkëpunim me sektorin joqeveritar dhe UNDP-në, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në fushën e drejtësisë ekologjike. Bashkëpunimi do të zyrtarizohet me nënshkrimin e një memorandumi, i cili do të mundësojë veprim të përbashkët dhe referim të rekomandimeve tek autoritetet kompetente në lidhje me mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe përmirësimin e situatave.

Avokati i Popullit Naser Ziberi, në një deklaratë për media para tryezës së sotme të rrumbullakët “Rritja e bashkëpunimit të Avokatit të Popullit me shoqatat e qytetarëve në drejtësinë ekologjike”, tha se qëllimi i projektit është zbulimi dhe gjetja e mekanizmave të duhur për përmirësimin e situatave.

“Projekti për bashkëpunimin e avokatit të popullit me sektorin joqeveritar synon zbulimin dhe gjetjen e mekanizmave të duhur për përmirësimin e situatës në këtë fushë. Fatmirësisht gjetëm një përgjigje dhe mbështetje nga UNDP-ja, të cilët do të na mbështesin dhe sot do të nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi me UNDP-në dhe sektorin joqeveritar si një servis mbështetës që mund të japë një kontribut të madh. Sektori joqeveritar është ndoshta përfaqësuesi më i madh për situatat dhe problemet me të cilat përballet e gjithë popullata, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në mbarë planetin”, tha Avokati i Popullit.

Sipas tij, gjendja në fushën e grumbullimit, depozitimit dhe përpunimit të mbetjeve është katastrofike për ne, ashtu si ajo e lumenjve, pyjeve dhe situatave të tjera që kemi pasur këtë vit. Ai theksoi se kjo, siç tha, e imponon edhe më shumë nevojën dhe prandaj beson se projektin po e nisin në momentin e duhur.

“Zyra e avokatit të popullit dhe gjashtë zyrat rajonale nëpër qytete do të fillojnë bashkëpunimin me këto OJQ, do të zbulojmë se në cilat projekte mund të punojmë së bashku dhe ekspertët nga OJQ-të së bashku me shërbimet tona, të cilat punojnë edhe në peticionet e qytetarëve. bashkërisht mund t’u bëjë rekomandime përkatëse organeve kompetente, sepse në pajtim me Ligjin për Avokatin e Popullit, vepron ndaj të gjitha organeve shtetërore, organeve të njësive të vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjeve publike, që t’i zbatojnë rekomandimet që do t’u jepen nga Avokati i Popullit. Kurse në ndërtimin e këtyre rekomandimeve, mendimi dhe qëndrimet e OJQ-ve për këto çështje do të jenë shumë të rëndësishme, sepse ato vërtet kanë ekspertizën e duhur”, shtoi Ziberi.

Reformat në drejtësi dhe ekologji janë të patjetërsueshme-

Se mjedisi ekologjik nuk është në nivelin e duhur e thonë rezultatet e publikuara për nivelin e ndotjes së ajrit duke e radhitur Maqedoninë e Veriut shumë herë si shtetin me ajrin më të ndotur në Evropë. Në shumë qytete shpesh herë janë regjistruar vlera të larta të ndotjes së ajrit, përkatësisht prania e grimcave kancerogjene PM10 , duke arritur dhjetë herë nga niveli i lejuar. E po të njëjtën e thotë edhe Komisioni Evropian, sipas të cilëve kapacitetet administrative në fushën e mjedisit, në të gjitha nivelet, mbeten të dobëta, me burime njerëzore dhe financiare të pamjaftueshme për zbatimin e legjislacionit, ndërsa puna e inspektimeve ka ndikim të vogël.

Maqedonia e Veriut duhet të forcojë dukshëm ambiciet e saj në lidhje me tranzicionin e gjelbër apo ekologjik, veçanërisht në kontekstin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Gjatë vitit të ardhshëm, vendi duhet të përshpejtojë veçanërisht përpjekjet për uljen e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe për të reduktuar ndotjen difuzive të burimeve të ujit të ëmbël. Për të zbatuar masat për krijimin e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbetjeve, veçanërisht në rajonet Lindore dhe Verilindore, si dhe për të zbatuar Marrëveshjen e Parisit, duke përfshirë miratimin e një ligji për klimën, në përputhje me Kornizën e BE-së 2030, citohet në raportin e këtij viti të Komisionit Evropian në lidhje me Kapitullin 27 – “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”.

Pa qeverisje funksionale të së drejtës, Maqedonia e Veriut nuk mund të shpresojë për përparim në procesin e integrimeve evropiane, veçanërisht duke pasur parasysh se pika kyçe gjatë negociatave të cilat ende nuk kanë filluar është pikërisht kapitulli 23, gjyqësori dhe të drejtat e njeriut.  Perceptimi aktual i sistemit gjyqësor në Maqedoninë e Veriut është pasqyrim i asaj për të cilin vlerësohet se është skajshmërish i partizuar, institucionet e drejtësisë nuk funksionojnë, thënë thjesht, gjyqësori nuk e kryen funksionin e tij si autoritet i tretë, pra si korrigjues i legjislativit dhe ekzekutivit. Prandaj nuk duhet të habitemi me besimin jashtëzakonisht të ulët i qytetarëve në sistemin e drejtësisë, i cili tashmë ka rënë nën katër për qind, që është një fakt shkatërrues për një vend. Prandaj, në plotësimin e kirtereve të Kopenhagës për anëtarësim në BE është e domosdoshme edhe adaptimi i ligjeve të vendit kandidat me ato të BE-së, e kjo praktikë pra merret nga vendet evropiane të zhvilluara.

Për Maqedoninë e Veriut fokusi në vitin 2024 duhet të jetë në reforma. Reforma të cilat para së gjithash janë dhe mbi të gjitha do të jenë me kërkesë të qytetarëve dhe interesave të tyre. Rruga përpara, intensiteti i atyre reformave dhe përparimi drejt BE-së tani varet nga ne. Tani është momenti kur duhet të ndërlidheni në atë nxitje që ka ndodhur në vitin 2022 me fillimin e negociatave.  Prandaj, për të ecur para Maqedonia e Veriut është e detyruar që krahas gjitha reformave tjera të bëj edhe reformat e duhura dhe shumë të nevojshme në sektorin e gjyqësisë, fillimisht duke e departizuar pastaj duke e lejuar që të funksionojë pa presione politike, në mënyrë që të ketë kuptim të plotë si pushtet korrigjues. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More