Reçicë e Vogël, 21 korrik – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale duke prezantuar një pjesë të kandidatëve me të cilët do të garojë në komuna kyçe në vend. Pas mbledhjes së mbajtur në selinë qendrore të partisë në Reçicë të Vogël, Arbër Ademi njoftoi publikisht disa nga emrat që janë votuar unanimisht nga struktura e partisë.
Sipas vendimit të BDI-së, për Komunën e Çairit kandidat do të jetë Bujar Osmani, ish-ministër dhe figurë e njohur politike. Për Komunën e Tetovës, kandidati do të jetë Bajram Rexhepi, ndërsa në Komunën e Zhelinës kandidon Emir Sulejmani, i cili po ashtu është konfirmuar si kryetar i ardhshëm i kësaj komune.
Përveç kandidatëve për kryetarë komunash, BDI ka caktuar edhe bartësit e listave për këshillat komunalë në disa qytete strategjike. Në Gostivar, bartës liste do të jetë Valdet Xhaferi, ndërsa në Strugë, Faton Pollozhani.
Ademi theksoi se të gjithë kandidatët janë votuar njëzëri, gjë që sipas tij dëshmon unitetin dhe përkushtimin e partisë për t’u përballur me sukses në zgjedhjet lokale që priten të mbahen në vjeshtë.