Shkup, 20 maj – Shkollat shqipe, tekstet shkollore, arsimi i lartë, shkollat e mesme, gjitha të arriturat deri në këtë kohë janë rezultat i BDI-së, por nga ana tjetër dështimet që nuk janë të pakta gjithashtu i faturohen BDI-së. Parti politike shqiptare që për dekada pjesë e pushtetit jo rrallë herë i ra në hise të udhëheq Arsimin, por për fatin tonë të keq, pikërisht arsimi në nivel vendi është largë cilësisë, e në veçanti shqiptarët akoma përballen me mungesë të kushteve elementare siç janë shkollat, shkruan Zhurnal.
Ndërtimi shkollës në fshatin Nerovë me vet iniciativë shtytje nga mos përfillja institucionale –
Derisa institucionet e shtetit, Ministria e Arsimit, ishin shurdhë memecë ndaj kërkesave të banorëve të fshatit Nerovë për nevojën e domosdoshme për ndërtimin e një shkolle, qytetarët e këtij fshati me vetë inciativë mblodhën fuqitë dhe ndërtuan një objekt që do duhej të plotësonte nevojat e tyre për tu arsimuar fëmijët e tyre.
Por, ja që ishte ndërtim pa leje dhe institucionet kanë vepruar dhe rrezikohet rrënimi i këtij objekti që është ndërtuar me plotë mund dhe sakrficë. Kjo është e tmerrshme, e dhimbshme për banorët që dhanë nga xhepi i tyre. Kjo mos përfillje e institucioneve dhe dëmtim i qytetarëve nuk kalon pa ndëshkim.
Nga të gjitha fushat e jetës publike në Maqedoninë e Veriut ku shqiptarët kërkuan përmirësim, zhvillim dhe barazi, arsimi është ndër më të ndjeshmet dhe më thelbësoret. Dhe është po kjo fushë që më së shumti reflekton realitetin të një përfaqësimi të deformuar politik. Në këtë kuadër, faji kryesor për gjendjen ku ndodhet arsimi shqiptar në vend i faturohet Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), që për më shumë se dy dekada e ka mbajtur flamurin e “përfaqësimit shqiptar” në pushtet.
Është e pamohueshme që shumë prej të arriturave në aspektin formal si shkollat shqipe, arsimi i mesëm dhe i lartë në gjuhën shqipe kanë ndodhur nën qeverisjen ku BDI ka qenë pjesë. Por këto arritje shpesh janë më shumë rezultat i një presioni të vazhdueshëm qytetar, sesa fryt i një strategjie serioze shtetformuese nga vetë BDI-ja. Në thelb, suksesi është minimal, ndërsa dështimet janë të shumta.
Dështimi për të ndërtuar shkolla shqipe –
Problemi më i madh nuk qëndron te mungesa e përpjekjeve individuale, por në mungesën e vizionit institucional. Për vite me radhë, shqiptarët kanë përfaqësuar Ministrinë e Arsimit apo dikasterë të lidhur me të, por kjo nuk është përkthyer në një përmirësim real të kushteve në shkolla. Mungesa e librave në gjuhën shqipe, vonesat kronike në përkthimin e teksteve, mungesa e infrastrukturës, mosinvestimi në kualitetin e stafit arsimor, dhe ndërtimi i shkollave në bazë të nevojës reale janë dëshmi të një dështimi të thellë.
BDI, me gjithë pozitat e saj të favorshme në pushtet, nuk arriti të vendoste një politikë afatgjatë dhe të qëndrueshme për arsimin shqiptar. E fokusuar më shumë në menaxhimin e emërimeve dhe interesave afatshkurtra politike, BDI shpesh e shfrytëzoi arsimin si fushë për shpërndarje propagande partiake dhe jo për zhvillim të mirëfilltë.
Rasti i fshatit Nerovë, simptomë e një mosfunksionimi shtetëror
Një ndër shembujt më tronditës që ilustron dështimin e sistemit arsimor është rasti i fshatit Nerovë. Banorët e këtij fshati u detyruan të ndërtojnë vetë një shkollë, pasi kërkesat e tyre për një institucion arsimor u injoruan në mënyrë sistematike nga autoritetet shtetërore. Ministria e Arsimit, ku për vite me radhë shqiptarët kanë pasur përfaqësues të tyre politik, mbeti shurdh-memece. E vetmja përgjigje që shteti dha ndaj kësaj iniciative qytetare ishte paralajmërimi për rrënimin e objektit si “ndërtesë pa leje”.
Ky është një moment turpi institucional, por edhe një dëshmi e braktisjes totale që shqiptarët kanë përjetuar nga elita e tyre politike. Në vend që të mbështeteshin dhe të kanalizoheshin nëpërmjet formave ligjore dhe buxhetore, qytetarët u përballën me represion, jo me përkrahje. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë vetëm me një problem ndërtimi kemi të bëjmë me një akt të qartë të braktisjes dhe një dënim për guximin qytetar.
Për shumë vite, BDI ka ndërtuar narrativën e saj politike mbi “çështjet madhore” si NATO, gjuha shqipe, dhe përfaqësimi në institucione. Por këto nuk mund të përdoren pafundësisht si mbulesë për dështimet thelbësore që prekin përditshmërinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Asnjë projekt afatgjatë arsimor nuk është hartuar, asnjë strategji për digjitalizimin e arsimit në zonat shqiptare nuk është vënë në zbatim, dhe asnjë reformë e thellë për përmirësimin e cilësisë nuk është ndërmarrë.
E vërteta është se BDI, megjithëse kishte pushtetin, nuk pati vullnetin. Arsimi u përdor si fushë për pazare politike, jo si investim kombëtar. Dhe kjo është arsyeja pse sot, shqiptarët përballen ende me shkolla të rrënuara, mungesë të laboratorëve, kushte të pasigurta higjienike dhe mungesë librash bazë. /Zhurnal.mk