Shkup, 2 tetor – Tubimi i sotëm i Frontit Evropian në hotelin Holiday Inn në Shkup, nxori në pah disa gjëra interesante që vlen për t’i analizuar. Pikë së pari, mbajtja e një tubimi në hotel, krijon përshtyje për mungesë të kapacitetit për të realizuar paralajmërimet se do të “vërshohen rrugët dhe sheshet”. Mund të jetë edhe strategji veprimi, nuk përjashtohet kjo mundësi, por përshtypja e parë në opinion është se mungon përkrahje e mjaftueshme për organizim të protestave që do të dërgonin një mesazh më serioz në drejtim të “mbrojtjes së legjitimitetit”. Përshtypja e dytë, që buron kryesisht nga fjalimi i udhëheqësit të Frontit, Ali Ahmeti, është se BDI prej sot e pranoi statusin partisë opozitare në një afat më të gjatë se që shpresonin nga kjo parti, shkruan Zhurnal.
Qeveria u formua pra më shumë se tre muajve, respektivisht para 100 ditëve. Mirëpo të gjithë e dinë se deri sot BDI vazhdimisht ka mbajtur anëtarësinë dhe simpatizuesit me shpresën se shumë shpejtë do të rikthehet në pushtet, si “përfaqësues legjitim”. Këtë porosi nga distanca për anëtarësinë kreu partiak BDI-së e përforconte me ifnormacionet vazhdueshme për takime dhe me përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, e madje edhe për takime Ahmeti-Mickoski, si rezultat i të cilave takime BDI pastaj votonte disa propozime që vinin nga Qeveria. Gjërat, me gjasë, kanë ndryshuar pas fjalimit të djeshëm të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili tha qartë se koalicioni qeveritar është stabil dhe se opozita kot ka shpresuar se ka përçarje brenda tyre.
Nga fjalimi i sotëm i Ahmetit, ku tha se partia e tij nuk është e interesuar për t’u bë pjesë e qeverisë, fitohet përshtypje se krerët e BDI-së janë vetëdijësuar se një kohë të caktuar do të duhet të kalojnë në opozitë dhe se rasti për rikthim në qeveri nuk do u jepet shumë shpejt. Ahmeti ndoshta për herë të parë pas formimit të qeverisë, sot ka përdorë fjalor opozitar, ku mes tjerash tha se shqiptarët sot përfaqësohen nga “objekti” me emrin VLEN, njëjtë si një gurë që e rregullon “ustahi” siç don ai vetë.
“Sot shqiptarët përfaqësohen nga objekti me emrin VLEN, njëjtë si një gurë që e rregullon “ustahi” siç don ai vet. Fronti do të vazhdoj çdo ditë me konferenca shtypi, diellin pëllëmbe mbi kokë do të ua sjellim, sepse shqiptarët nuk e meritojnë këtë nënçmim. Ne nuk jemi të interesuar të bëhemi pjesë e kësaj qeverie, sepse nuk jemi gomë rezervë. Ne nuk jemi përfaqësues të anarkise e revanshizmit, ne nuk veprojmë sipas instiktit, sepse jemi ndërtuar sipas ideologjisë kombëtare. Fushata anti-shqiptare që është neveritëse nuk është e mirë, kur dëgjoj gjithë ato prononcime shqiptarët le të ikin në Shqiperi se ky shtet na qenka Maqedoni… Kur bëhen këto histerike? Kur Europa është në luftë dhe mbrohet nga Rusia, kur zjarri i konfliktit nuk është larg nesh në Lindjen e Mesme. Ne nuk duam të kthehemi pas, sepse edhe Europa po i hapi këto çështje nuk dihet se ku përfundojnë gjërat. Shqiptarët kanë respektuar gjithmonë të drejtat ndëretnike, ndaj njejte duhet të veprojnë edhe bashkëqytetarët tanë maqedonas. Zot në këtë vend e dalë zotës jemi edhe ne, sepse bashkë shtetin e bëjmë, e ndërtojme bashkë dhe e çojmë në BE, e jo kështu siç na larguan nga pakoja me Shqipërinë. Nuk kemi ne takat me u marr me inate e me hasmëri me shtetet tjera, ndaj vendit I duhet paqe dhe stabilitet, veting, luftë kundër korrupsionit. Hajde të hapim hetim për të hulumtu pasurinë e politikanëve por nuk ua mban sepse keni hy të leckcosur e jeni pasuruar. Mos bëni hajgare me çështjet shqiptare, mos prekni gjuhë e flamur, mos prekni në plage që jane mbyll. VLEN ka bërë gabim fatal që hyri në këtë qeveri, por nuk e di se çka i gjeti. Këto e kanë mësu një fjali “BDI-ja i ka fajët”. Po harrojnë këta që u pavarësuan ne vitin 1991 mirëpo nuk munden ta mbajnë shtetin vetë, sepse në vitin 2001 baraka prej letre u rrëzu. Neve na duhet BE-ja për gjitha të mirat që i ka, sepse ne nuk jemi fantazer por kemi koncepte në politikbërje”, ka theksuar Ahmeti.
Ai tani e ka hedhur topin te populli, strategji që përdoret shpeshherë nga ustallarët e politikës, kur duan të blejnë kohë të nevojshme për të kaluar nga njëra, në tjetrën strategji të veprimit politik.
“Ne do bëjmë ashtu siç do populli, ndaj le ta harrojnë idenë se ata i kanë fituar zgjedhjet, sepse vjen dita e ua bëjmë 8 me 2”, tha Ali Ahmeti – kryetar i BDI-së.
Kurse kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, pjesë e Frontit Europian i bëri thirrje koalicionit VLEN që të bëhen pjesë e Frontit Europian dhe Fronti të bëhet kuptimplotë dhe t’ia tregojnë vendin Hristijan Mickoskit.
Sela mes tjerash shtoi se Mickoskit duhet ti tregohet se deri ku ka të drejtë të merret dhe të sillet me këtë popull.
“Nuk e kemi qëllimin e pushtet e Qeverisë, ne nuk jemi histerik për pushtet, ajo çka ne ju themi juve është: nuk vim ne te pushteti, hajdeni ju te ne, ta bëjmë Frontin tamam kuptimplotë e të ia tregojmë vendin Hristijan Mickoskit, duke ia treguar linjat e kuqe se si dhe deri ku ka të drejtë që të merret dhe të sillet me këtë popull”, tha Ziadin Sela – kryetar i ASH-së, pjesë e Frontit Europian.
Sinjalet që janë paraqitur prej dje, e që sipas nesh janë vërtetuar sot, për qëndrim më afatgjatë ë BDI-së në opozitë, si duket u kanë krijuar komoditet liderëve të VLEN-it, aq sa dy prej tyre-Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami i kanë dhënë vetes komoditetin për të udhëtuar deri në Berlin dhe për të shijuar në kryeqytetin gjerman specialitetet e kuzhinës shqiptare, shkruan Zhurnal.
Ata morën pjesë në Festivalin e parë gastronomik shqiptar që tuboi në një vend 110 kompani nga Ballkani, si dhe bëri bashkë ata me vendimmarrësit politik nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria. Ne u dëshirojmë qëndrim të këndshëm në Gjermani bashkë me porosinë që asnjëherë mos të relaksohen tepër, sepse në politikë gjërat ndryshojnë edhe brenda natës!/Zhurnal