Këtë vit, Bashkimi Evropian pritet të ashpërsojë mekanizmin e pezullimit të vizave, duke ia bërë më të lehtë Brukselit të heqë regjimin pa viza për qytetarët e 61 vendeve që aktualisht e gëzojnë atë – përfshirë të gjitha vendet aspirante për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor, si dhe Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Propozimi për të shtuar më shumë arsye në mesin e atyre ekzistuese për pezullimin e udhëtimit pa viza ishte iniciuar nga Komisioni Evropian qysh në vitin 2023, dhe Këshilli i BE-së – i cili përfaqëson 27 vendet anëtare – e miratoi qëndrimin e tij për këtë çështje një vit më parë. Megjithatë, për shkak të zgjedhjeve parlamentare evropiane në qershor të vitit 2024 dhe ngarkesës së madhe legjislative, Parlamenti Evropian vetëm së fundi ka marrë mandatin për të negociuar, shkruan Evropa e Lirë.
Javën e kaluar, u mbajt dialogu i parë ndërmjet tri institucioneve mbi legjislacionin e propozuar, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjatë Presidencës polake të Këshillit të BE-së, e cila zgjat deri në fund të qershorit. Nëse gjithçka shkon mirë, ligji i ri pritet të hyjë në fuqi në fillim të vjeshtës.
Pse po ndodh kjo tani?
Në thelb, blloku po bëhet shumë më i ashpër ndaj liberalizimit të vizave, duke reflektuar një ndryshim më të gjerë: së pari, për të luftuar çdo formë migracioni të paligjshëm në BE; dhe së dyti, për të përdorur potencialisht regjimin e vizave si mjet politik për të ushtruar presion mbi vendet e treta.
Liberalizimi i vizave – i cili në këtë rast përfshin të gjitha vendet anëtare të BE-së përveç Irlandës, si dhe vendet joanëtare Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra – ka qenë prej kohësh një nga mjetet më të rëndësishme politike të Brukselit.
Kërcënimi për të tërhequr këtë privilegj, për rrjedhojë, mund të shihet si një masë e vërtetë ndëshkuese.
Mekanizmi aktual i pezullimit, në fuqi që nga viti 2018, mund të aktivizohet në rastet e abuzimit të qartë – për shembull, një rritje e numrit të qytetarëve të vendeve të treta që qëndrojnë më gjatë se limiti 90-ditor apo që përdorin udhëtimin pa viza për të kërkuar azil në BE. Deri tani, blloku ka pezulluar liberalizimin e vizave vetëm një herë: fillimisht përkohësisht, më pas përfundimisht, për shtetin e Paqësorit Jugor, Vanuatu.
Në terma të përgjithshëm, ka katër fusha kryesore ndryshimesh, pasi Brukseli synon ta bëjë mekanizmin e pezullimit të vizave një mjet ndëshkimi më të besueshëm. Së pari, liberalizimi i vizave mund të pezullohet nëse ekziston një perceptim për mospërputhje midis politikës së përgjithshme të vizave të BE-së dhe vendit të tretë pa viza.
Ky ishte rasti në vitin 2022, kur Serbia lejoi udhëtim pa viza për shtetasit e vendeve si Burundi, India dhe Kuba. Brukseli sugjeroi se shumë prej këtyre individëve po përdornin Serbinë si një “derë të pasme” drejt BE-së. Pas presionit nga Komisioni Evropian, Beogradi hoqi disa nga këto marrëveshje. Megjithatë, sipas legjislacionit të propozuar, sjellje të tilla mund të ndëshkohen më lehtësisht.
Kërcënimet hibride
Një tjetër arsye për pezullim të vizave janë të ashtuquajturat kërcënime hibride. Edhe pse ende teorike, kjo dispozitë është frymëzuar nga vendet si Rusia dhe Bjellorusia, të cilat BE-ja i ka akuzuar për transportimin e emigrantëve nga Afrika dhe Azia drejt kufijve të BE-së, si të Polonisë dhe Lituanisë.
Tashmë, marrëveshjet për lehtësimin e vizave të BE-së me Moskën dhe Minskun janë pezulluar për disa vite, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe shtypjes së opozitës nga lideri autoritar bjellorus, Alayksandr Lukashenka. Megjithatë, nëse një vend tjetër pa viza ndjek një taktikë të ngjashme, mekanizmi i ri mund të aktivizohet si përgjigje.
Së treti, nëse një vend operon një skemë të shtetësisë për investitorë – duke i lejuar individët të blejnë shtetësi pa ndonjë lidhje të vërtetë me vendin – atëherë liberalizimi i vizave me BE-në mund të pezullohet në të ardhmen.
Kriteri i demokracisë
Nëse i pyesni zyrtarët e BE-së, leximi i tyre ka qenë gjithmonë se ekziston një “kriter demokracie” kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave – por kurrë nuk është shpjeguar qartë se çfarë përfshin saktësisht.
Një aspekt tjetër interesant dhe i ri është se aktivizimi i mekanizmit në këtë rast duhet të jetë kompetencë ekskluzive e Komisionit Evropian, pas konsultimeve me vendet anëtare të BE-së, pasi lidhet me marrëdhëniet e jashtme të bllokut.
Kjo është arsyeja pse, më herët këtë vit, BE zgjodhi të pezullojë liberalizimin e vizave vetëm për mbajtësit e pasaportave diplomatike të Gjeorgjisë, pas ngecjeve demokratike në vendin e Kaukazit. Megjithatë, opsioni për të shënjestruar gjithë popullsinë mbetet në tavolinë – dhe me zgjerimin e mundshëm të fushës së mekanizmit të pezullimit, blloku po mpreh qartazi armët e veta.