Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim zëvendëspresidentin e Turqisë, Cevdet Yılmaz. Biseda mes tyre u fokusua te marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona, avancimin e nismave që thellojnë këtë bashkëpunim, si edhe zhvillimet rajonale dhe çështjet e sigurisë.
Gjatë këtij takimi, Begaj vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore me Turqinë, duke konfirmuar përkushtimin e Shqipërisë për të forcuar më tej partneritetin strategjik.
Teksa marrëdhëniet dypalëshe kanë shënuar një bilanc shumë pozitiv, në takim u konfirmua qëndrimi për të ruajtur trendin aktual në aspektin e dialogut politik dhe për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh ekonomiko-tregtar, të investimeve, sigurisë dhe stabilitetit.
“Shqipëria, – theksoi Presidenti Begaj, – vlerëson rolin e Turqisë si një partner dhe aleat kyç dhe vlerësoi se ka gjithmonë vend për thellim të bashkëpunimit dypalësh në fusha, si: ekonomia dhe tregtia, bujqësia, investimet, infrastruktura, turizmi, mjedisi dhe çështje të tjera thelbësore.”
Gjatë bisedës u theksua edhe bashkëpunimi rajonal me Turqinë në kuadër të nismave rajonale, si: Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi dhe Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Kreu i Shtetit i përcolli numrit dy të Republikës së Turqisë vlerësim për rolin dhe kontributin e Ankarasë zyrtare dhe në mënyrë të veçantë të presidentit Erdogan në Ballkanin Perëndimor, për paqen dhe stabilitetin, si edhe angazhimin për të vijuar këtë bashkëpunim për të ardhmen e rajonit.
Në lidhje më Kosovën, Begaj vlerësoi lobimin e fortë të Turqisë për njohjen dhe anëtarësimin e saj në organizatat rajonale e globale.
Në takim u vlerësuan, gjithashtu, përpjekjet e Turqisë dhe të presidentit Erdogan në promovimin e dialogut si mundësi për paqen dhe nxitjen e mirëkuptimit të përbashkët e të pranuar gjerësisht, si në luftën Rusi-Ukrainë, edhe në konfliktin në Lindjen e Mesme.




