Bekim Sali për Taravarin: Koha e dyfytyrësisë dhe koha e lojërave të dyfishta ka përfunduar

nga Redaksia

Shkup, 28 korrik – Deputeti i Alternativës dhe koalicionit VLEN, Bekim Sali në rrjetin social facebook ka shkruar se Arben Taravari me muaj ka mashtruar strukturat e ASH-së, me deklarata për për “lista të ndara”, për “matje rejtingu” , “sondazhet”, ndërsa tani u pa se gjithcka ka qenë skenarë për t’u rikthyer në përqafimin e BDI-së.

“Z. Taravari për muaj të tërë u përpoq ta shiste mashtrimin si strategji politike. Me muaj të tërë, z. Arben Taravari ka mashtruar opinionin, strukturat dhe anëtarësinë e Aleancës për Shqiptarët me deklarata të stisura për “lista të ndara”, për “matje rejtingu” , “sondazhet”. Tani gjithçka është e qartë: as lista të ndara, as sondazhe , vetëm një skenar i vjetër për t’u rikthyer në përqafimin e BDI-së.

Për fat të mirë, jo të gjithë brenda ASH-së pranuan të jenë pjesë e kësaj loje të ulët politike. Një pjesë e ndershme dhe e përgjegjshme e strukturave të ASH-së refuzuan që të bëhen dekor për teatrin e Taravarit dhe zgjodhën të qëndrojnë me VLEN-in me koalicionin që ka një mision të qartë: ndryshimin e sistemit dhe përfaqësim të denjë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Ky veprim tregon se shpresa ende ekziston. Qytetarët nuk mashtrohen më me retorika boshe, me njerëz që në fakt janë kthyer në strehë për marrëveshje të fshehta. VLEN është shtëpia e ndryshimit, jo e pazareve politike.

Çdo qytetar duhet ta dijë qartë dhe pa iluzione: një votë për Taravarin është një votë për rikthimin e BDI-së në pushtet për vazhdimin e modelit të vjetër të korrupsionit, arrogancës dhe pazareve në kurriz të qytetarëve.
Një votë për VLEN-in është një votë për ndryshim të vërtetë. Për llogaridhënie, për shpresë, për përfaqësim dinjitoz dhe të pastër”, ka shkruar deputeti Sali.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More