Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e nderimit të 4 martirëve që u vranë më 2 prill 1991, në Shkodër: Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës, ku theksoi se “sakrifica e martirëve pati një jehonë ndërkombëtare dhe shërbeu si frymëzim për të gjithë ata që besojnë në lirinë dhe votën e lirë”.
Në fjalën e tij, Berisha tha se “më 2 prill 1991 regjimi i Ramiz Alisë përdori dhunën për të shtypur kërkesat e qytetarëve për liri. Sakrifica sublime e martirëve të votës së lirë, të dhjetëra e dhjetëra qytetarëve të Shkodrës që u plagosën atë ditë, pati jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare. Zgjoi revoltën, dënimin e ashpër të mbarë opinionit demokratik evropian, të Parlamentit Europian, Këshillit të Europës, Kongresit të SHBA”.
Kreu i PD-së u shpreh se “me të vërtetë martirët e votës së lirë u ndanë atë ditë nga jeta, por mbetën të pavdekshëm në shpirtin e lirisë, në votën e lirë. Ndaj dhe ata janë sot burim drite, burim frymëzimi për çdo qytetar që i beson lirisë dhe votës së saj. Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për çdo qytetar të sakrifikojë për lirinë dhe votën e saj”.
Ne, vijoi Berisha, “nderojmë sot këtë ditë para një ngjarje që do të ndajë epokat”.
“Sepse përsëri ne nderojmë veprën e tyre të ndritur, sakrificën e tyre sublime në një diktaturë, e cila nuk bazohet më ideologjinë e ish-Komitetit të Partisë, por bazohet në ideologjinë e Dobraçit, të krimit, të terrorit”, tha Berisha.
Kreu i PD-së nënvizoi rëndësinë e datës 11 maj, duke e cilësuar si një ditë historike që do të ndante epokat e diktaturës dhe varfërisë nga ajo e lirisë dhe mirëqenies.
Berisha bëri thirrje që 11 maji të shënojë kthesën drejt një Shqipërie të begatë, të drejtuar nga një shtet i së drejtës dhe lirisë.
Berisha prezantoi një projekt të ri për Shqipërinë, të fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, si dhe në krijimin e një shteti që garanton mirëqenie dhe zhvillim të pandalshëm për qytetarët.
Kryetari i PD e përfundoi fjalimin e tij duke nderuar martirët e 2 Prillit dhe vuri theksin mbi për pavdekësinë e lirisë dhe dinjitetit njerëzor.