Berisha: Në Peqin votuan komisionerët, zgjedhësit vetëm palosin fletën

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha denoncoi sërish sot atë që e cilëson si “farsa zgjedhore e 11 majit”. Kreu i PD-së publikoi disa video për të cilat pretendon se “faktojnë farsën zgjedhore”.

Berisha theksoi se në qendrën e votimit 2285 në bashkinë e Peqinit, njësia administrative Përparim “kanë votuar komisionerët dhe se zgjedhësit vetëm kanë palosur fletën”.

“Farsa zgjedhore 11 maj 2025 ishte një farsë universale. Ishte një proces i degraduar dhe i dhunuar në të gjithë shtrirjen dhe segmentet e tij. Unë e kam deklaruar dhe e deklaroj përsëri se në farsat elektorale, vota vdes pa rënë në kuti. Por cilido që sheh dokumentet zyrtare të procesit zgjedhor të ditës së zgjedhjeve më 11 maj konstaton se ajo është autopsia e kufomës së farsës elektorale.

“Më 11 maj, dokumentet zyrtare faktojnë se masivisht qytetarët kanë votuar nën terrorin e patronazhistëve që u qëndronin si xhelatë të votës së lirë në dhomën e fshehtë. Mund të kisha rreshtuar këtu qindra e qindra raste, por unë kam sjellë vetëm disa, për kursim kohe. Dhe këto disa janë vetëm në një qendër, imagjinoni ju po të shtriheshin në qendrat e tjera. Votuesi shkon aty, se plusin po e vendos komisioneri. Tani ai e palos, votuesi ka për detyrë të palosë fletën e votimit që e votoi komisioneri. Është e njëjta qendër votimi. Edhe këtu, komisioneri shoqëron votuesin dhe voton, komisionieri terrorist elektoral. Është zona e kartelit të Suel Çelës. 2285, mos gabohem, është qendra e votimit”, u shpreh Berisha.

Berisha nënvizoi se “për çdo shqiptar është e qartë se farsa elektorale 11 maj 2025 është një poshtërim masiv për shqiptarët që besojnë se duhet të votojnë të lirë”.

“Është një dhunim i lirisë së votës dhe të drejtave themelore të qytetarëve. Është një thirrje, një kushtrim për t’u ngritur me gjithë forcën dhe rikthyer votën e lirë në këtë vend, pa të cilin shqiptarët të ardhme nuk kanë”, u shpreh Berisha.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More