Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se opozita duhet të ridimensionohet për veprimtari shumëplanëshe për largimin e qeverisë.
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të drejtimit të ri të departamentit Brain Gain dhe programit për vitin 2026, Berisha bëri thirrje për mobilizim të vazhdueshëm të opozitës dhe qytetarëve, duke e konsideruar largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe krijimin e një qeverie teknike si kusht për zgjedhje të lira.
“Ne jemi në një kohë të pashembullt. Ndër të tjera kjo kohë kërkon, duke filluar nga unë dhe secili prej jush, të përshtatemi për veprimtari shumëplanëshe. Ndaj dhe ne duhet të pranojmë të ndërmarrim njëkohësisht veprimtari të shumanshme. Vetëm në këtë mënyrë ne do mund t’i përgjigjemi misionit historik të përmbysjes së diktaturës autokratike të Edi Ramës”, tha Berisha.
Sipas tij, opozita është në betejë finale.
“Është i një rëndësie kapitale sepse në qoftë se ne nuk njohim realitetin dhe nuk kuptojmë se operojmë në kushtet e një autokracie dhe nuk organizohemi që të operojmë në kushtet e një autokracie, por mendojmë se jemi në kushtet e një pluralizmi normal, ne misionin tonë nuk e përmbushim”, tha Berisha.
“Të përkushtohemi në projektin e opozitës për largimin e Edi Ramës nga pushteti dhe krijimin e qeverisë teknike si kusht i të gjitha kushteve që shqiptarët të votojnë të lirë. Ne nuk bëhemi parti dhune sepse ne besojmë se paqja është një forcë e jashtëzakonshme”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu akuzoi qeverinë për korrupsion, abuzim me fondet publike dhe kapje të drejtësisë.