Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi sot deklaratat e kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja, i cili u shpreh në një intervistë se “PD ka nevojë për riorganizim nga degët deri tek Kryesia pas humbjes së zgjedhjeve”.
Në një konferencë për shtyp, Berisha theksoi se PD është parti e hapur dhe transparente, por sipas tij, “gjatë kësaj periudhe është e fokusuar në paraqitjen e të vërtetave të mëdha të farsës elektorale”.
Berisha siguroi se “PD do të bëjë analizën më të plotë të këtij procesi në raport me strukturat e veta dhe funksionin e saj”.
“PD është parti e hapur, transparente dhe e gatshme të analizojë të gjithë veprimtarinë e saj në dritën e së vërtetës. Por në këtë periudhë PD po paraqet të vërteta të mëdha të farsës elektorale. Dhe po paraqet me dokumente zyrtare, të pakundërshtueshme, të gjitha këto nuk do të pengojnë PD të bëjë analizën më të plotë të këtij procesi në raport me strukturat e veta dhe funksionin e saj”, theksoi ai.
Berisha denoncoi po ashtu edhe një video, ku sipas tij, “duket një komisioner, i cili del nga qendra e votimit me fletën e votimit me vete, të cilën ia jep kryetarit dhe më pas e hedh në kutinë e votimit”.
“Denoncimi i farsës elektorale kërkon që të bëhet publik mundësisht çdo fakt, çdo dokument i dhunimit”, shtoi ai.