Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka mohuar kategorikisht çdo pretendim për një konflikt institucional apo personal mes saj dhe Prokurorisë së Posaçme në lidhje me dosjen “Partizani”, ku janë të pandehur Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe të tjerë.
Në një reagim publik, gjykata thekson se marrëdhëniet me të gjitha palët në proces janë të bazuara në respektimin e rolit kushtetues dhe ligjor të secilit institucion dhe se vendimmarrja gjyqësore është e pavarur dhe e paanshme.
“Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës. Nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme”, thuhet në deklaratë.
Gjykata nënvizon se gjyqtarët veprojnë vetëm mbi bazën e ligjit dhe provave, të lirë nga çdo ndikim apo trysni, dhe se çdo përpjekje për të ndikuar në punën e saj përbën shkelje të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve.
“Gjyqtarët e kësaj gjykate gjykojnë mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë, të udhëhequr vetëm nga bindja e tyre e brendshme dhe nga ligji, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike. Theksojmë se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në punën e gjykatës përbën jo vetëm cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor në vend”, citohet deklarata.