Berisha: Po ushtrohet presion ndaj Kushtetueses, protestat janë rruga e vetme

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në lidhje me pezullimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Në një konferencë për shtyp, Berisha theksoi se, mbi Gjykatën Kushtetuese po ushtrohet presion.

“Sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese në këtë çështje janë të papara ndonjëherë në historinë e këtij vendi”, tha Berisha.

“Pikërisht për shkak të tyre, Gjykata, në kundërshtim me çdo ligj dhe precedent, pranoi të shqyrtojë kërkesën dhe u dha edhe kohën e mjaftueshme për të ushtruar të gjitha format e presionit”, u shpreh Berisha.

Ai paralajmëroi se përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të ndikuar vendimet e gjykatës do të kenë pasoja politike dhe institucionale.

“Qytetarë dhe qytetare, mbetet vetëm fjala dhe guximi juaj për të folur për veten, për çdo shqiptar, kudo që është dhe për mbarë Europën dhe botën. Me këtë rast, paralajmëroj Edi Ramën se këto qëndrimet e tij dhe kjo përpjekje për të mbrojtur veten e tij përmes Gjykatës Kushtetuese, do kenë pasoja direkt mbi të, se populli shqiptar nuk do ta pranojë kurrë një turpërim të tillë”, tha Berisha.

Ai gjithashtu kundërshtoi deklaratat e Kryeministrit lidhur me Komisionin e Venecias.

“Mashtrimi i tij duke cituar ditë më parë në disa paragrafë Komisionin e Venecias, mori përgjigjen më të merituar nga ekspertë të shquar se ky Komision nuk ka asnjë paragraf në të cilin të shprehet se nuk mund të pezullohet ministri. Absolutisht. Përkundrazi, ka paragrafë në të cilat pezullimin e vlerëson si akt kushtetues. Tani, nuk e përmend më, duket se ka pasur reagime, nga Komisioni apo nga të tjerë. Tani ka hequr dorë. Tani ka vetëm hallin e tij”, tha Berisha.

Kryedemokrati gjithashtu mbështeti reagimin Shoqatës së Gjyqtarëve.

“Unë vlerësoj reagimin e shoqatës së gjyqtarëve. E vlerësoj atë si një reagim në mbrojtje të ligjit dhe Kushtetutës”, u shpreh Berisha.

Berisha gjithashtu kritikoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pranuar padinë e kryeministrit Edi Rama dhe paralajmëroi nisjen e protestave nga opozita.

“Mos harroni se kjo gjykatë ka shpallur të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën, 30 deputetë të opozitës që paraqitën kërkesë për çështjen time. Dhe kjo gjykatë në një nënshtrim, pranoi për të vlerësuar kërkesën e kryeministrit”, tha Berisha.

Berisha nënvizoi se protestat do të jenë rruga e opozitës për të mbrojtur votën e lirë dhe të drejtat kushtetuese.

“Prandaj protestat, e kam theksuar dhe e theksoj, janë dhe do jenë rruga jonë e vetme për t’i rikthyer shqiptarëve votën e lirë”, tha Berisha.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More