Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e përshkroi si historike protestën e zhvilluar dje në Tiranë, duke e cilësuar si një kryengritje paqësore kundër qeverisë.
Përmes një deklarate nga selia blu, Berisha tha se “kryengritja paqësore e qytetarëve”, riktheu besimin në triumfin e tyre dhe fitoren mbi narkoregjimin.
“Shqipëria është tjetër sot, nuk është më kurrë ajo e një dite më parë. Dhe kjo është merita e madhe e njerëzve të sakrificës, e njerëzve të idealeve, e njerëzve të gatshëm të përballen për të mbrojtur vlerat më të çmuara të njeriut. Detyrimi ndaj tyre është i pakufishëm. Protesta e djeshme bindi çdo shqiptar se fitorja mbi narkoregjimin është e sigurt”, tha Berisha.
Kreu i PD-së tha se ndaj protestuesve u ushtrua dhunë nga policia, që sipas tij, përdori mjete piroteknike përveç gazit dhe ujit.
“Përdori mjete piroteknike kundër demonstruesve dhe këto janë të gjitha të filmuara. Barbari e vërtetë ndaj gazetarëve. Arian Asimi mbeti i asfiksuar. Demonstrues tjetër, me aftësi të kufizuara, u tërhoq zvarrë në rrugë sikur të mos ishte njeri”, deklaroi Berisha.
Sipas Berishës, qeveria kishte përgatitur ekzekutimin e protestuesve paqësorë në shesh. Berisha vijoi më tej duke theksuar se “katër protestues mbetën të plagosur nga snajperët dhe plumbat e gomës”.
“Urdhëroi snajperët të qëllojnë katër protestues, të cilët në mënyrë absolute nuk po kryenin asnjë veprim ndaj policëve të rendit”, tha Berisha.
Berisha shprehu mbështetjen ndaj të rinjve të cilët janë arrestuar nga policia pas protestës.
“Ata janë aty si qëndrestarë dhe dënoj me forcën më të madhe urdhërarrestin ndaj qytetarëve që në përputhje me Kushtetutën po protestonin të revoltuar. I garantoj autorët e këtij arresti se drejtësia vonon, por nuk harron mbi ta. Dhe do të bjerë”, tha Berisha.
Berisha gjithashtu tha se dhuna e policisë nuk kurseu deputetë të Kuvendit duke përmendur deputetin Bledjon Nallbati i cili, sipas tij, nuk po kryente asnjë veprim, por po ndihmonte një të mitur që po e keqtrajtonin.
Kreu i PD-së shtoi gjithashtu se asnjë polic nuk është lënduar gjatë protestës, por i kanë dërguar në spitale për të plotësuar skenarin.