Berisha: Shqipëria nuk plotëson asnjë kusht të procesit të integrimit

nga D. V.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se kryeministri Edi Rama po e kthen procesin e integrimit të Shqipërisë mbrapa në vitin 1992. Sipas Berishës, Shqipëria nuk plotëson në mënyrë absolute asnjë kusht të procesit të integrimit.

“Unë deklaroj sot atë që kam deklaruar prej 2-3 vitesh me dhjetëra herë.
Shqipëria nuk plotëson në mënyrë absolute asnjë kusht të procesit të integrimit.
Sukseset e Shqipërisë me Edi Ramën janë mashtrimi më i madh. Shqipëria plotëson kushtin gjeostrategjik, i cili është një kusht i rëndësishëm”, tha Berisha.

Kreu i PD vuri në dukje se Partia Demokratike mbetet e angazhuar për integrimin evropian, por vetëm mbi bazën e meritës, ndërsa garantoi partnerët e vendit se PD e ka objektivin e saj më madhor integrimin e Shqipërisë në Evropë.

“Ne kemi plotësuar për MSA-në dhe ajo është firmosur, është votuar në të gjitha parlamentet e BE, diku me ndonjë hezitim, diku me ndonjë vonesë, diku shumë shpejt, por ne kemi pasur argumente pse ne e meritojmë MSA-në. Ne nuk iu lutëm askujt, absolutisht, për heqjen e vizave”, tha Berisha, duke iu referuar firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe heqjes së vizave në kohën kur PD ishte në qeveri.

Berisha komentoi gjithashtu edhe vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese lidhur me pezullimin e ministres Belinda Balluku, duke e cilësuar procesin si dëshmi të ndikimit politik të qeverisë mbi drejtësinë. Sipas Berishës, fakti që Gjykata Kushtetuese u nda 4 me 4 në votim, tregon “paralizën e saj nga ekzekutivi”.

“Pezullimi nuk duhej të mbetej në fuqi për votat e katër gjyqtarëve, por duhej të mbetej në fuqi me votat e të gjithë gjyqtarëve. Kjo është dëshmi edhe njëherë e paralizës nga ekzekutivi i Gjykatës Kushtetuese”, tha Berisha.

Në lidhje me paralajmërimet e mazhorancës për ndryshime ligjore, Berisha tha se opozita nuk do të bashkojë asnjë votë për asnjë hap në këtë drejtim. Sipas Berishës, e vetmja gjuhë e mbetur është ajo e revoltës dhe qëndresës qytetare për të kthyer vendin në shinat e kushtetutshmërisë.

Berisha tha ndër të tjera se Shqipëria po përjeton “dhunim masiv të të drejtave të njeriut”.

“Ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria, ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës në kryengritjen paqësore, t’i faktojmë kombit, Evropës dhe botës se ne nuk mposhtemi kurrë nga një grusht hajdutësh që nuk kanë interesa të tjera përveç interesave të pasurimit të tyre”, tha Berisha.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More