Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vizitoi paraditen e sotme Nunciaturën Apostolike në Tiranë (Ambasada e Vatikanit) ku la mesazh ngushëllimi në Librin e Ngushëllimeve, me rastin e ndarjes nga jeta të Atit të Shenjtë, Papa Françesku.
Pas daljes nga Nunciatura, Berisha foli për mediet duke theksuar se papa Françesku u nda nga jeta si një papë i madh i paqes.
“Ai ishte gjithashtu një mik i shquar i kombit shqiptar. Shqipëria do ishte një nga vendet më të para që ai vizitoi pas inaugurimit të tij në fronin papal të Selisë së Shenjtë”, u shpreh Berisha.
Berisha tregoi se pati fatin ta takojë dhe bisedojë fare shkurt ditën e inaugurimit.
“Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për Shqipërinë, por edhe për mbarë qytetërimin perëndimor kur gjatë vizitës së tij, Papa Françesku lumnoi këtu 38 martirë të kishës shqiptare, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm për besimin e tyre tek Zoti dhe Krishti mbret gjatë diktaturës staliniste të Enver Hoxhës”, vijoi Berisha.