Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha denoncoi sërish sot farsën, sipas tij, të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Kreu i PD publikoi një video ku, sipas tij, komisionerët kontrollojnë çdo votë dhe hedhin votat bashkë me zgjedhësit.
“Ja, shiheni këtë vajzën, kriminele elektorale, komisionere në detyrë. Shikoni se çfarë bën, një nga një shkon dhe voton me zgjedhësit. Pra, komisionerja kontrollon çdo votë”, tha Berisha.
Berisha tha se këto zgjedhje nuk përligjen, ndërsa shtoi se beteja e PD është e gjithanshme.
“Ne këto që bëjmë, i bëjmë për dy arsye: për të hedhur dritë së pari, si detyrim ndaj shqiptarëve; së dyti, ndaj komunitetit ndërkombëtar me bindjen më të thellë se, problemin do ta zgjidhin vetë shqiptarët dhe opozita.
Natyrisht beteja do të jetë shumëplanëshe, komplekse. Është një betejë shumë e gjerë, shumë komplekse, por me bindjen tonë më të thellë që do fitohet”, tha Berisha.
Berisha nënvizoi se, “qeveri teknike, zgjedhje të lira – është motoja jonë”.
I pyetur për zgjedhjet e pjesshme lokale që pritet të zhvillohen në vjeshtë, Berisha i cilësoi si “farsa e radhës. “Do të zhvillohet farsa e radhës. Ne themi që do të zhvillohet farsa e radhës. Me Edi Ramën ka vetëm farsë, kjo është e vërteta”, thekson Berisha.