Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se “programi i PL për familjet e reja i jep fund shpopullimit”.
Në aktivin e Tiranës organizuar nga Lëvizja Rinore për Integrim në Ditën e Rinisë, Blushi tha se të rinjtë përballen sot me shumë sfida dhe një prej tyre mbetet ajo e strehimit.
“Edhe pse kanë një pagë mbi mesatare dhe disa kursime minimale, blerja e një shtëpie, sidomos në Tiranë, për një të ri apo një çift të ri, kërkohet që në fakt duhen 60 deri 70 vite punë. Sot janë 85% deri 95% e të rinjve që nuk kanë një mundësi reale për të blerë një shtëpi në kryeqytet”, u shpreh ai.
Blushi theksoi se “vendi sot ndodhet përballë një skenari shumë të rrezikshëm për të rinjtë, veçanërisht nëse rrotacioni politik do të vonojë. Ky është skenari i trishtë i rritjes së kostos së jetesës shumë herë më shumë se sa pagat, një skenar ku të rinjtë rrezikojnë të bëhen gjithnjë e më shumë të varur nga ndihma familjare, duke e shtyrë pavarësinë e tyre deri në moshën 35 deri 40 vjeç”.
Sipas tij, buxheti për arsimin është shumë poshtë mesatares së Bashkimit Europian në nivelin 5% dhe shumë poshtë vendeve të rajonit dhe mjafton t’i referohemi Kosovës, që financon arsimin me të paktën 4.4% të PBB-së.
Ndaj, sipas tij, “i vetmi skenar pozitiv që mundëson ndryshimin e vërtetë, rrënjësor, garanton një reformë të thellë ekonomike dhe sociale, politika zhvillimore dhe mbështetëse që i vendosin të rinjtë në qendër dhe jo në periferi të vendimmarrjes, është vetëm vënia në jetë e programit të Partisë së Lirisë”.
“5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, që e shndërron Shqipërinë njëherë e përgjithmonë në shtëpinë e të rinjve, jo vetëm duke ju garantuar uljen e kostos së jetesës, por sigurisht një arsim cilësor, punë të sigurt dhe të mirëpaguar dhe mbështetje konkrete në çdo hap të jetës”, tha ai.
Blushi solli edhe njëherë në vëmendje pikat kryesore të programit të PL-së, duke nisur nga pagesa 70 deri 100% për nënat për dy vitet pas lindjes; 3- fishimin e bonusit të bebes; uljen e taksave për nënat me më shumë fëmijë; kredi deri në 20 mijë euro pa interes për çiftet e reja etj.
Ky vizion, sipas tij, “garanton një program strehimi sipas modeli hungarez dhe një fond të posaçëm për banesa për çiftet e reja, në mënyrë që asnjë çift I ri të mos ngelet pa shtëpi”.