Blushi: Ulje e taksës së ndikimit në infrastrukturë në programin e Partisë së Lirisë

nga D. V.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se duke votuar më 11 maj për programin ekonomik “Made in Albania” të Shqipërisë Madhështore, shqiptarët do të votojnë për uljen e taksave, rritjen e të ardhurave, si dhe për rritjen masive të punësimit të mirëpaguar.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetarin e Komitetit Drejtues Kombëtar të Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, Blushi prezantoi një pjesë të programit ekonomik, i cili sipas tij, synon ndërtimin e një Shqipërie prodhuese dhe eksportuese në rajon.

Blushi shprehu bindjen se ky program do të realizohet në mënyrë të padiskutueshme duke reformuar rrënjësisht së pari sistemin fiskal, që do thjeshtohet për të lehtësuar konsumatorët dhe bizneset si dhe për të rritur interesin e investitorëve vendas e të huaj.

“Për realizimin e këtij objekti madhor do të ulet numri i shkallëve të ndryshme tatimore, si dhe do të vendoset taksa e sheshtë 10% e kapitalit. Taksa e sheshtë 10% mbi të ardhurat nga puna, me përjashtim të 50 mijë lekëve të para. Gjithashtu, taksë e sheshtë 10% mbi të ardhurat jo nga paga si dhe 0 taksim për të gjitha profesionet e lira si dhe biznesin e vogël. Tavani vjetor për tatimfitimin do të jetë 0 për biznesin e vogël”, tha Blushi.

Sipas tij, “kufiri i përjashtimit nga TVSH-ja do të jetë 18 milionë lekë xhiro vjetore dhe ndërkohë TVSH do të ulet në 15%”.

“Taksa e ndikimit në infrastrukturë do të ulet nga 8% e çmimit të shitjes në 2% të preventivit dhe kjo për faktin, sepse tanimë të gjithë e dimë se shkaku kryesor i çmimeve stratosferike në ndërtim janë pikërisht taksat absurde që “Rilindja” dhe Edi Rama kanë vendosur mbi sipërfaqen e ndërtimit”, shtoi ai.

Sipas tij, “këto taksa të çmendura u janë faturuar të gjitha qytetarëve, duke iu pamundësuar blerjen e apartamenteve”.

“Sot mbi 60 mijë apartamente në Tiranë rezultojnë bosh, ndërkohë që një çifti të ri i duhen 60 deri 70 vite punë për të blerë një apartament ose një shtëpi në periferi të Tiranës. Falë këtij programi të shkëlqyer që ne ofrojmë për shqiptarët, e në veçanti për të rinjtë dhe familjet e reja, kjo situatë do të marrë fund përgjithmonë më 11 maj”, shtoi ai.

Gjithashtu, Blushi nënvizoi se “nëpërmjet këtij programi ne angazhohemi që pas 11 majit, energjia elektrike për bizneset nga 18 deri në 24 lekë/kilovat-orë që është sot, të ulet në 6 lekë/kilovat-orë”.

“Taksa e shitjes së pronës do të ulet nga 15% në 2%, ndërkohë që taksa mbi karburantet do të ulet në nivelin e vendeve të rajonit dhe çmimi i karburanteve në pikat e pakicës nuk do të jetë më i lartë se 10% krahasuar me vendet fqinje të rajonit”, theksoi ai.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More