3,7 milionë zgjedhës në listën përfundimtare të 11 majit, për herë të parë edhe votuesit nga jashtë

nga D. V.

Ministria e Brendshme publikoi sot listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet e datës 11 maj 2025.

Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit.

Sipas Ministrisë së Brendshme ndër ta 114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë dhe 1,081 shtetas janë të papërfshirë, për shkak të dekriminalizimit. Ndërsa numri i qendrave të votimit është 5,225.

Procesi i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve të KQZ-së, duke kaluar në disa faza në zbatim të dekretit të Presidentit, përmes publikimeve të 3 ekstrakteve të përbërësve zgjedhore.

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: zgjedhësit që jetojnë brenda vendit dhe zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.

“Lista përfundimtare përmbyll procesin e hartimit dhe shpalljes së listës së zgjedhësve. DPGJC në çdo bashki vijon të përmbushë detyrimet mbi përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Ndërkohë qytetarët mund të aplikojnë apo rinovojnë letërnjoftimet elektronike të skaduara, si një nga 2 dokumentet biometrike, që përdoren për identifikimin e votuesve në zgjedhjet e 11 majit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë të Brendshme.

Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve të identitetit “IdentiTek” shprehin po ashtu angazhimin për përmbushje të standardeve më të larta, të këtij procesi të rëndësishëm.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More