Një botim i parë i rrallë i romanit të famshëm “The Hobbit” është shitur për 43 000 paund në një ankand online, duke kapërcyer pritshmëritë katërfish.
Libri u zbulua rastësisht gjatë një pastrimi shtëpie në Bristol, i fshehur në një raft librash. Botimi, një nga vetëm 1,500 kopjet origjinale të publikuara në shtator të vitit 1937, është konsideruar si një nga librat më të kërkuar në letërsinë moderne, shkruan euronews.
“Askush nuk e dinte që ishte aty”, tha specialistja e librave në shtëpinë britanike të ankandeve, e cila zbuloi librin.
Libri, i lidhur me pëlhurë jeshile të zbehur, përmban ilustrime bardh e zi të vetë autorit një veçori që mungon në botimet e mëvonshme, ku ilustrimet janë me ngjyra.
Ai ishte pjesë e bibliotekës së botanistit të njohur Hubert Priestley, i cili kishte lidhje të ngushta me Universitetin e Oksfordit, ku Tolkien punonte si profesor.
Libri u ble nga një koleksionist privat në Mbretërinë e Bashkuar dhe besohet se është një nga çmimet më të larta të paguara ndonjëherë për një botim të parë të “The Hobbit”
Vepra ikonike e Tolkien-it, së bashku me “Zotin e Unazave”, ka shitur mbi 250 milionë kopje në mbarë botën dhe vazhdon të frymëzojë breza të tërë lexuesish dhe artdashësish, më shumë se 50 vjet pas vdekjes së autorit.