Bozdo: “Paqja Fiskale” dëmton klimën e biznesit

nga D. V.

Deputeti i Partisë Demokratike, njëherazi zëvendëskryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Enno Bozdo, tha sot se dy projektligjet, ai i “Faljes së Detyrimeve” dhe ai i “Paqes Fiskale”,  dëmtojnë klimën e biznesit në vend.

Në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, Bozdo tha se dy projektligjet kanë mungesë totale transparence dhe se penalizojnë biznesin e ndershëm.

“Projektligjet u dalin krah evazorëve fiskalë, hajdutëve të parave të shqiptarëve që me bekimin e qeverisë pastrohen prej 2 miliardë eurosh, nga borxhi  më i madh i krijuar ndonjëherë ndaj shtetit”, tha Bozdo.

“Me një të rënë të lapsit, deputetët socialistë miratuan në komisionet parlamentare projektligjin për faljen e detyrimeve, i cili u fal mbi 2 miliardë euro, para tonat, bizneseve që kanë përfituar pa të drejtë nëpërmjet evazionit fiskal, kontrabandës, korrupsionit, shmangies së pagesës së TVSH, akcizave, detyrimeve doganore etj”, tha Bozdo.

“Kërkesës së deputetëve të Partisë Demokratike dhe opozitës mbi emrat e kompanive të atyre bizneseve që përfitojnë më shumë nga kjo falje, ministri i Financave iu përgjigj se këto emra nuk i kishte”, tha Bozdo.

Deputeti demokrat theksoi se “në projektligjin e Paqes Fiskale, miratohet një mekanizëm ku një biznes, në se deklaron paraprakisht për vitin 2026 një fitim 18% më të madh se ai i vitit të shkuar, për çdo fitim më të madh se 18%, do të taksohet shumë pak, vetëm më 5%, dhe jo me normën e zakonshme të tatimit. Kjo është pabarazi dhe aspak e ndershme! Sepse ky mekanizëm hap jo thjesht një rrugë, por një autostradë të tërë për evazion fiskal. Veçanërisht bizneset që operojnë në sektorë si p.sh ndërtimi, e kanë shumë të thjeshtë të përfitojnë nga kjo skemë, duke fshehur fitimet dhe ulur artificialisht taksat që duhet të paguajë”.

“Ne kundërshtuam projektligjin për “Paqen Fiskale” edhe për një mekanizëm tjetër, i cili u mundëson këtyre bizneseve të ndryshojnë bilancet e tyre kontabël, për tre vitet e fundit, pa asnjë problem. Pra mund të ndryshojnë borxhet, kapitalet e veta, të ndryshojnë gjendjen e cash, me pak fjalë të korrektojnë çdo evazion fiskal pa u hyrë gjemb në këmbë”, u shpreh Bozdo.

Bozdo tha se PD “kurrsesi nuk mund të bjerë dakord që nëpërmjet të ashtuquajturave “falje” apo “paqe fiskale”, të goditen bizneset e ndershme që me shumë djersë, mund dhe sakrificë ia dalin të mbijetojnë”.

Bozdo shtoi se Partia Demokratike është kundër kësaj paketa fiskale dhe u bën thirrje të gjithë bizneseve të ndershme të reagojnë ndaj kësaj padrejtësie.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More