Shpenzimet për vitin 2025 janë parashikuar në masën 825 miliardë lekë ose 31.4% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 51.4 miliardë lekë krahasuar me planin e vitit 2024.
Investimet publike përgjatë 2025-2027 do të jenë rreth 6.1%, me një përqendrim te ato me rëndësi strategjike dhe ato të lidhura me Planin e Rritjes së BE.
Shpenzimet e personelit reflektojnë politikën e rritjes së pagave të ndërmarrë në vitin 2023 dhe 2024, dhe që i shtrin efektet deri në shtator të vitit 2025, me kosto shtesë për buxhetin e shtetit prej rreth 40 miliardë lekë.
Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike në nivel qendror planifikohen në masën 127.6 miliardë lekë ose 4.9% e PBB.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2025 janë parashikuar në masën 71.3 miliardë lekë.
Në këtë zë është programuar mbështetja e politikave më prioritare të qeverisjes qendrore, si skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajtja e sistemeve të teknologjisë së informacionit, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetje për arsimin dhe sportin, etj.
Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë.
Subvencionet shtetërore për vitin 2025 janë fokusuar te nxitja e punësimit, ujësjellës-kanalizimet, shpenzime për veprimtarinë hekurudhore, etj.
Shpenzimet e fondeve speciale përfshijnë Fondin e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore, kompensimin në vlerë i ish-pronarëve, fond që në total shkon në 263.8 miliardë lekë ose rreth 6% më shumë se një vit më parë.
Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025 parashikohet në masën 192.3 miliardë lekë ose 7.3% e PBB.
Qeveria shqiptare do të vijojë ruajtjen e vlerës së pensioneve nëpërmjet indeksimit, por njëkohësisht programohen fondet e nevojshme për bonusin e fundvitit për pensionistët, niveli i të cilit do të jetë i lidhur me performancën e ekonomisë në tërësi dhe performancën buxhetore të shtetit, me qëllim final sigurimin e më shumë të ardhurave për pensionistët.
Përtej këtyre parashikimeve, po vijon puna për rishikimin e skemës së pensioneve me qëllimin final ofrimin e një pensioni të denjë që i përgjigjet akoma dhe më shumë nevojave të kësaj shtrese.
Ndërsa, shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2025 janë parashikuar në masën 63.1 miliardë lekë ose 8.7% më shumë se një vit më parë.
Kjo skemë reflekton rritjen e pagave në këtë sektor për rreth 18,800 mjekë e infermierë me kosto totale prej rreth 5.7 miliardë lekë në vit, si dhe rritjen e tavanit për rimbursimin e barnave në masën 12.6 miliardë lekë, ose 600 milionë lekë më shumë se viti i kaluar.