Nënkryetari i Partisë Demokratike, njëherësh drejtues politik i PD në qarkun e Durrësit, Oerd Bylykbashi zhvilloi sot një takim në selinë e degës së Partisë Demokratike në Durrës me ambasadorin Lamberto Zannier, shefi i misionit vëzhgues të zgjedhjeve i ODIHR.
Bylykbashi u shpreh në një postim në rrjetet sociale se Zannier shprehu interes për zhvillimet e fushatës zgjedhore dhe problematikat e saj në Durrës.
“Përdorimi masiv i shtetit në favor të PS, përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje dhe mbështetja e tij për përfshirjen e kandidatëve të caktuar në listën e PS, koordinimi mes PS dhe organizatave kriminale përmes individësh të caktuar nga kryeministri, presionet mbi zgjedhësit dhe shitblerja e votës etj, iu parashtruan me fakte konkrete shefit të misionit të ODIHR. Asfalti elektoral, punësimet, dhënia e titujve të pronësisë në shkëmbim të votave, përdorimi shkollave, i ndërmarrjeve të shërbimit publik qendrore apo të bashkive si OSHEE dhe ujësjellës, etj, u faktuan konkretisht”, theksoi Bylykbashi.
“Informuam për denoncimet konkrete, por pandëshkueshmëria që prodhon mosveprimi i përsëritur i SPAK dhe prokurorisë, si dhe roli aktiv i policisë në mbështetje të veprimeve të paligjshme nga eksponentë të PS dhe të krimit kanë sjellë si rezultat që persona të dënuar me heqje lirie apo në kërkim, të jenë aktivë në terren në favor të PS nën mbrojtjen e mosveprimit të qëllimshëm të organeve ligjzbatuese”, theksoi ai.
Në cilësinë e nënkryetarit të PD, Bylykbashi theksoi se, “mosshtyrja e afatit të vlefshmërisë së kartave të identitetit për shtetasit që votojnë në Shqipëri u shtrua si problem madhor në shkallë vendi duke rrezikuar që disa qindra mijëra zgjedhës të pengohen për të votuar”.
“Përfaqësuesve të ODIHR iu referuan zonat e nxehta duke kërkuar vëzhgim të shtuar dhe kërkuam që KQZ dhe taskforca e krijuar të veprojnë për të siguruar votim të qetë pa trysninë e patronazhistëve dhe kriminelëve të lidhur me PS pranë qendrave të votimit”, u shpreh Bylykbashi.