Çairi mirëpret përfaqësuesit e Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Skupi” – Ganiu: Kultura na bashkon përtej kufijve

nga D. V.

Shkup, 16 korrik – Në kuadër të edicionit të 19-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Skupi”, Komuna e Çairit mirëpriti përfaqësuesit e ansambleve folklorike nga Meksika, Turqia, Paraguaji, Sllovakia, Bullgaria, Kili, Qiproja Veriore dhe Maqedonia e Veriut. Ky takim festiv dhe ndërkulturor u zhvillua në ambientet e komunës, ku pjesëmarrësit u pritën nga kryetari Visar Ganiu.

Me këtë rast, kryetari i komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, theksoi rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore përmes organizimeve të tilla:

“Çairi është një komunë që i jep vlerë bashkëjetesës dhe kulturës. Prandaj, për ne është nder që të presim artistë nga mbarë bota, të cilët me këngë dhe valle përcjellin identitetin dhe historinë e popujve të tyre. Kultura është ura më e fortë që lidh kombet përtej gjuhëve dhe kufijve.”

Gjatë takimit, përfaqësuesit e ansambleve ndanë përvojat e tyre dhe shprehën mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin e shkëlqyer të festivalit. Në përmbyllje, z. Ganiu ndau certifikata simbolike falënderimi për secilin ansambël pjesëmarrës, si shenjë vlerësimi për kontributin e tyre në pasurimin e jetës kulturore të qytetit.

“Me këto certifikata, nuk japim vetëm një falënderim, por dërgojmë një mesazh miqësie dhe respekti. Çairi mbetet një vend i hapur për të gjithë ata që përmes artit ndërtojnë ura mirëkuptimi.”, u shpreh Ganiu.

Festivali “Skupi” mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme folklorike në vend, i cili jo vetëm promovon kulturën tradicionale, por edhe nxit dialogun dhe afërsinë mes kulturave të ndryshme botërore.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More