Lojërat e 15-ta Kombëtare të Kinës shënojnë herën e parë në histori që një ngjarje e madhe sportive është organizuar bashkërisht nga Guangdong-u, Hong-Kongu dhe Makaoja.
Ceremonia e hapjes, me temë “Realizimi i ëndrrave për të ardhmen”, shfaqi gjallërisht peizazhin madhështor dhe frymën e gjallë të Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong – Makao.
Në një intervistë të posaçme Kirsty Coventry presidente KON-it e përshkroi ceremoninë e hapjes së Lojërave të 15-ta Kombëtare të Kinës si “marramendëse” dhe “frymëzuese”, duke e vlerësuar atë si një bashkim të zgjuar të kulturës tradicionale dhe frymës inovative.
Coventry tha se e gjithë ceremonia e hapjes ishte absolutisht e mrekullueshme. “Bashkimi ishte vërtet i mahnitshëm! Integrimi i kulturës, sporteve dhe teknologjisë ishte aq i përsosur, saqë ishte marramendës! Paraqitja e ngjyrave dhe interpretimi i valltarëve ishin të jashtëzakonshme. Gjithashtu, një gjë që admiroj te Kina është ndjenja e fortë e krenarisë që populli kinez ka për kulturën e vet; mund ta ndieje atë pasion,” u shpreh ajo.

Më tej presidentja e KON-it theksoi: “Është një lloj vetëbesimi. E dua atë krenari! Ishte vërtet spektakolare! Pata fatin të ndiqja ceremoninë me Presidentin Xi Jinping dhe bashkëshorten e tij, dhe ishte një përvojë e paharrueshme! Gjithashtu bisedova me Presidentin Xi për performancën e daulleve. I thashë se performanca e daulleve më kujtoi përvojën e mrekullueshme të Lojërave Olimpike të Pekinit 2008. Ai shpjegoi me krenari ndryshimet midis muzikës së daulleve veriore dhe jugore, duke thënë se daullet e përdorura në Lojërat Olimpike të Pekinit ishin të ndryshme nga ato të përdorura në këto Lojëra Kombëtare. Ishte vërtet e shkëlqyer, vërtet interesante!