Shtimi i investimeve, si bazë e rëndësishme për rritjen e punësimit.
Investimet nga buxheti i qeverisë qendrore të Kinës për programet “punë për ndihmë”, kanë arritur në një total prej 35.5 miliardë juanësh (rreth 5 miliardë dollarë) në vitin 2025. Ato pritet të krijojnë më shumë se 1.1 milion vende pune për banorët me të ardhura të ulëta, bëri të ditur Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës (NDRC).
Sipas komisionit, programet të cilat fokusohen në zonat rurale dhe zhvillimin e integruar urban-rural, janë zbatuar veçanërisht në projektet infrastrukturore të nivelit të vogël dhe të mesëm, si përforcimi i rrugëve dhe rrugicave të fshatrave, sistemimi dhe kullimi i kanaleve vaditëse dhe ndërtimi i pellgjeve për rezervimin e ujit.
Përveç rritjes së të ardhurave dhe punësimit lokal, programet po përmirësojnë infrastrukturën dhe po stimulojnë rritjen e investimeve në rajonet lokale, shtoi komisioni.
Siç mësohet, qeveria qendrore e Kinës synon të zbatojë mbi 7.000 programe të tilla këtë vit. Gjatë zbatimit të këtyre programeve, do të ofrohen trajnime për të forcuar aftësitë e punëtorëve.
Programet “punë për ndihmë” i referohen një politike mbështetëse, në të cilën qeveria investon në ndërtimin e projekteve të infrastrukturës dhe ata që punojnë në projekte të tilla marrin shpërblim, duke zëvendësuar kështu ndihmën e drejtpërdrejtë financiare.
Përveç mbështetjes financiare nga qeveria qendrore, autoritetet lokale po inkurajohen të promovojnë programet “punë për ndihmë” në projekte të tjera të rëndësishme. Së bashku, këto përpjekje pritet të krijojnë deri në 4 milionë vende pune për njerëzit me të ardhura të ulëta në vitin 2025.