Daja: Mbulesa vaksinale ndaj fruthit ka rënë në 92%, rrezik për rikthimin e shpërthimeve

nga D. V.

Pas rastit të fundit me fruth, të konfirmuar në 22 dhjetor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Rovena Daja, shefe e programit të vaksinimit pranë ISHP-së doli sot në një prononcim për mediet.

Daja tha se gjatë vitit 2025, në Shqipëri janë konfirmuar 18 raste me fruth.

“Shumica e rasteve i përkasin grupmoshës pediatrike 0–14 vjeç, ndërsa vetëm një rast është regjistruar tek një i rritur. Të gjitha rastet kanë paraqitur shenja klinike të fruthit dhe janë hospitalizuar për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore. Nga analiza e statusit të vaksinimit rezulton që 89% e tyre janë të pavaksinuar ose vetëm me një dozë vaksinë, fakt që konfirmon edhe një herë rolin vendimtar të vaksinimit dhe sidomos vaksinimit të plotë në parandalimin e sëmundjes”, tha Daja.

Sipas Dajës, gjatë këtij viti, rastet e shtuara të fruthit janë përqendruar në Fier, në një kopsht me fëmijë të pavaksinuar dhe në Tiranë.

Daja konfirmoi se krahasimisht me vitet e mëparshme, numri i rasteve në vitin 2025 është më i ulët se një vit më parë. Por, Daja tha se ka qarkullim të rasteve me fruth për shkak të rënies së mbulesës me vaksina sidomos me dozën e parë duke përbërë një rrezik për shpërthime epidemike.

Daja përsëriti edhe njëherë apelin për prindërit, që të vaksinojnë fëmijët e tyre kundër fruthit, pasi kjo mbetet e vetmja formë për një mbrojtje të sigurt të tyre.

“Të dhënat për vitet 2017–2024 tregojnë që mbulesa vaksinale me dy doza për 5-vjeçarët ka mbetur relativisht i qëndrueshëm, 92% por sipas Organizatës Botërore e Shëndetësisë (OBSH), për eliminimin e fruthit kërkohet 95% mbulim me dy doza. Rënia e mbulimit për dozën e parë dhe të dytë paraqet një rrezik serioz për rikthimin e shpërthimeve”, theksoi Daja.

Shefja e programit të vaksinimit pranë ISHP-së cilësoi se vaksina FRP është e sigurt, efektive dhe nuk ka asnjë lidhje me autizmin.

“Vonesat në vaksinim i lënë fëmijët të pambrojtur ndaj një sëmundjeje shumë ngjitëse dhe potencialisht fatale. Duke vaksinuar fëmijët në kohë, prindërit mbrojnë jo vetëm fëmijën e tyre, por edhe komunitetin. Vaksinoni duke besuar”, përfundoi ajo.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More