Pesë anëtarë të Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, kërkuan sërish mbledhjen e këshillit për ditën e martë, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
“Thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të gjysmës së anëtarëve është e detyrueshme sipas rregullores”, thuhet në kërkesën e PD-së drejtuar kryeparlamentarit Niko Peleshi.
Më tej, në kërkesë nënvizohet se kryetari i Kuvendit ka detyrim të njoftojë rendin e ditës.
“Për këtë arsye, përmbushni detyrimin tuaj ligjor dhe mos u bëni pengesë për drejtësinë”, thuhet në shkresën e anëtarëve demokratë të Këshillit të Mandateve drejtuar Kuvendit”.
Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogorasë”.