Të martën në Bruksel është mbajtur takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi ndërmjet dy ndërmjetësuesve, atij të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.
Takimi i së martës ishte i ndërmjetësuar nga i dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak.
Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian ka bërë të ditur se pas bisedimeve të gjera të kryesuara nga Lajçaku, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ranë dakord në Bruksel për termat e referencës për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur dhe kjo, në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të miratuar më 2 maj 2023 nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
Identifikimin e vendeve të varrezave dhe gërmimet pasuese;
Aksesin në informacione të sakta dhe të besueshme, duke përfshirë dokumentacionin përkatës vendas dhe ndërkombëtar, përdorimin e të dhënave satelitore, teknologjinë LIDAR dhe mjete të tjera të avancuara për zbulimin e varrezave masive;
Respektimin e të drejtave të familjeve të personave të zhdukur.
Përveç kësaj, Komisioni i Përbashkët do të mbështesë dhe monitorojë bashkëpunimin e Kosovës dhe Serbisë nën Grupin Punues për Personat e Zhdukur, të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK).
Bashkimi Evropian ka përshëndetur dakordësinë mes palëve, duke theksuar se çështja e personave të zhdukur mbetet një “shqetësim humanitar” dhe se “nevojiten përpjekje urgjente për të mbyllur rastet për familjet e prekura dhe komunitetin e gjerë”.
BE-ja vlerëson të dyja palët për angazhimin dhe qasjen e tyre konstruktive, e cila bëri të mundur rezultatin e 17 dhjetorit.
Më tej, BE fton palët të emërojnë përfaqësuesit e tyre për takimin e parë deri në mes të janarit të vitit të ardhshëm.
Po ashtu, Bashkimi Evropian e cilësoi progresin e sotëm si një hap të rëndësishëm përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimin e Marrëveshjes së vitit 2023 për Rrugën e Normalizimit.
“Është në dobi të drejtpërdrejtë të qytetarëve në Kosovë dhe Serbi. BE-ja u kërkon të dyja palëve që të fillojnë punën e zbatimit të Marrëveshjes në tërësi”, përfundon njoftimi i Shërbimit të Jashtëm të BE-së.
Ai ka thënë se ndër të tjera, me Lajçakun kanë folur për hapjen e disa pikave kufitare me Serbinë.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë se në fillim të takimit trilateral në Bruksel me homologun nga Serbia, Petar Petkoviq, emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, e ka dënuar sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
Bislimi tha se Lajçaku tregoi se BE-ja është e gatshme ta ndihmojë Kosovën në hetimin e plotë të këtij rasti, teksa tha se në takimin bilateral me të, janë trajtuar edhe tema të tjera, si ajo për IBM-in por edhe mundësia e hapjes së pikave kufitare në Izvor dhe Kapi.
“Pastaj domosdoshmëria që të ketë prezencë 24 orëshe të inspektorëve fito-sanitarë te Dheu i Bardhë dhe mundësia që të fillohet me konsolidimin e 13 certifikatave fito-sanitare mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Kemi adresuar edhe fushën e energjisë, ku i kemi potencuar shkeljet e fundit të Serbisë, sidomos mosaktivizimin e linjave të interkoneksionit, po ashtu edhe sabotimin që Serbia po ia bën marrëveshjeve të Brukselit, duke insistuar në fusnota të shpikura në marrëveshjet regjionale”, tha Bislimi.
“Po ashtu e kemi trajtuar edhe temën e vizitave zyrtare, ku ka brenga që disa vizita po refuzohen pa sqarime shtesë, një praktikë që e ka instaluar Serbia që moti”, tha ai.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media bëri të ditur se temë e trajtuar në kornizën e dialogut ishte edhe rruga përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin Implementues të Ohrit.
“Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu se pala jonë ka qenë gjithmonë konstruktive, ka ofruar në vazhdimësi komentet dhe propozimet e saj dhe ka shfaqur gatishmërinë për ecjen përpara.
Në vijim, u trajtuan tema të tjera ndër të cilat edhe liria e lëvizjes, IBM, regjistrimi i fakteve të gjendjes civile në institucionet e Republikës së Kosovës, shërbimet noteriale, energjia, zbatimi i marrëveshjes për targat, harmonizimi i certifikatave veterinare”, thuhet në njoftim.
Referuar njoftimit të Kryeministrisë, emisari Lajçak mirëpriti vendimin e qeverisë për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile për serbët e Kosovës.
“Ndërkohë në takimin trilateral në nivel të kryenegociatorëve, zëvendëskryeministri Bislimi përsëriti qëndrimin konstruktiv të Kosovës në ecjen përpara me zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksin e Implementimit. Përgjatë takimit, ai ngriti edhe çështjen e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku së fundmi Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social, ka ndërhyrë për të bllokuar donacionin e dedikuar për subvencionimin e bujqve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke kërkuar anulimin e vendimit për thirrjen publike”, thuhet tutje.
“Ajo për çfarë ramë dakord është se ne kemi bërë hapin e fundit të nevojshëm për çështjen e personave të pagjetur, kështu që tani është hequr pengesa e fundit kur flasim për zbatimin e deklaratës për personat e pagjetur. Kjo do t’i japë mbështetje grupit të punës të kryesuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq,” tha Petkoviq, duke theksuar se për Serbinë, kjo çështje mbetet një “çështje humanitare dhe jo politike, e cila patjetër duhet të zgjidhet.”
Siç raportojnë mediat serbe, Petkoviq gjithashtu nënvizoi rëndësinë e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një nga çështjet më të rëndësishme për serbët në Kosovë dhe për Beogradin.
“Ky hap përbën një moment të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve tona lidhur me këtë çështje kaq të ndjeshme dhe të rëndësishme për familjet dhe shoqërinë tonë”, thuhet në njoftim.
Komisioni i Përbashkët, i kryesuar nga Bashkimi Evropian, do të jetë trupa më e lartë që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen dhe sigurimin e zbatimit efektiv dhe në plotësi të Deklaratës së Personave të Zhdukur.
Në Deklaratë, ndër të tjera, thuhet se i jepet qasja e plotë në të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe të gjitha dokumentet e tjera, përfshirë ato që kanë statusin “konfidenciale” dhe që janë në posedim të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë.