Shkup, 1 dhjetor – Agjenda Reformuese dhe Procesi i Berlinit synojnë forcimin e bashkëpunimit rajonal, nxitjen e rritjes ekonomike dhe përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore në rajon. Kështu theksoi zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktoria Trajkov, gjatë debatit në këtë temë të organizuar në Kuvend, me ç’rast ajo shtoi se këto iniciativa janë thelbësore për përshpejtimin e integrimit në BE dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomive të Ballkanit Perëndimor.
“Integrimet evropiane për ne nënkuptojnë progres, nënkuptojnë jetë më të mirë, nënkuptojnë vlera evropiane. Pikërisht Procesi i Berlinit dhe Agjenda e Reformave janë në drejtim të promovimit të këtyre vlerave evropiane ndaj të cilave aspirojmë dhe që janë udhërrëfyes i përbashkët për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Pikërisht Procesi i Berlinit dhe Agjenda e Reformave janë urat e bashkëpunimit dhe të unitetit të vendeve të rajonit, të cilat do të na ndihmojnë të bëhemi më të mirë, më konkurrues dhe, në fund të ditës, më të fortë.”, – deklaroi zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktoria Trajkov.
Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshovski, vuri në dukje se në diskursin e BE-së më shpesh flitet për “integrim” sesa për “anëtarësim të plotë”, gjë që sipas tij tregon se brenda BE-së ka konsensus për procesin e afrimit, por ende jo për pranimin e plotë të vendeve të rajonit.
“Shefa të shteteve apo qeverive apo ministrave të Punëve të Jashtme, të politikanëve të rëndësishëm të Bashkimit Evropian shumë shpesh flasin fraza integrim të vendeve të Ballkanit Perëndimor se sa anëtarësim të plotë të vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe kjo nuk është e rëndësishme, kjo jep një dimension se për momentin në BE për çfarë ekziston konsensusi apo për çfarë nuk ekziston.”, – theksoi kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshovski.
Milloshovski kërkoi kyçjen e opozitës në reformat ligjore, pikërisht për këtë u pajtuan edhe deputetët e LSDM-së, sipas të cilëve ligjet që sillen në procedurë të shkurtuar ua pamundëson kyçjen e tyre në debate.
“Vlerësoj se duhet të tregojmë edhe hapat e vegjël. Hapi i parë është të përfshijmë edhe ata që mendojnë ndryshe në përgatitjen e ligjeve, veçanërisht ato që nuk lidhen drejtpërdrejt me BE-në ose integrimin në BE, por janë të rëndësishme për qytetarët tanë. Çdo hap në agjendën reformuese synon të lehtësojë jetën e qytetarëve dhe të përmirësojë konkurrencën e ekonomisë sonë.”, – u shpreh Fatmir Bytyqi nga LSDM.
Deputetja e AKI-së, Dijana Toska, tha se agjenda reformuese dhe plani i ri i BE-së për Ballkanin Perëndimor janë një detyrim që duhet të reflektohen në çdo ligj, institucion dhe politikë të vendit.
“Agjenda Reformuese është detyra jonë e brendshme që duhet të përmbushim, por rruga drejt BE-së nuk realizohet vetëm përmes nismave të thjeshta. Ajo hyn në çdo institucion, çdo ligj, çdo procedurë dhe çdo politikë që zbatojmë në vend. Prandaj, Agjenda Reformuese dhe plani i ri i BE-së për rritjen në Ballkanin Perëndimor përbëjnë një detyrim të dyfishtë, por edhe një mundësi të dyfishtë për vendin tonë.”, – deklaroi Dijana Toska nga AKI.
Në debat u ritheksua rëndësia e bashkëpunimit institucional dhe angazhimi i përbashkët për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të vendit.