Dhuka: Presim konferencën ndërqeveritare të radhës për të çelur negociatat për 17 fusha të tjera

nga D. V.

Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka theksoi sot se “Shqipëria është në miljet e fundit të rrugës drejt familjes europiane”, ndërsa u shpreh optimiste se kjo pranverë do të ketë zhvillime të rëndësishme në rrugën tonë europiane.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Dhuka vlerësoi fillimisht vendimin e Parlamentit Europian për të hapur zyrën e tij të Ballkanit Perëndimor në Tiranë.

“Kjo është një mundësi e madhe për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm politik mes parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor me PE-në, por edhe një urë më të fortë lidhëse për dialogun me shoqërinë civile, grupet e interesit dhe gjithë partnerët e rëndësishëm lokalë”, tha Dhuka.

Po ashtu, ajo theksoi se ky vendim është edhe njëherë një afirmim i rëndësishëm i rolit të Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, si një vend që kontribuon ndjeshëm për paqen dhe progresin e gjithë rajonit drejt familjes europiane.

“Shqipëria po pret vendimin e vendeve anëtare për konferencën e radhës ndërqeveritare për të çelur negociatat për 17 fusha të tjera të ekonomisë së tregut dhe konkurrueshmërisë, dhe në maj Shqipëria do të mikpresë mbledhjen e Komunitetit Politik Europian”, tha ajo.

Viti 2024, sipas Kryenegociatores, është një vit themel në përshpejtimin e rrugës së anëtarësimit në BE.

“Viti 2024 ka shënuar disa momente kulmore të këtij rrugëtimi. Në tetor Shqipëria çeli negociatat teknike për Themeloret, bazat e shtetit të së drejtës, dhe përgatiti qëndrimin drejt anëtarësimit, sipas së cilit Shqipëria do të konsolidojë themelet e shtetit europian, do të forcojë pavarësinë e gjyqësorit dhe do të mbështesë fort zbatimin dhe konsolidimin e Reformës në Drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit”, tha ajo.

Dhuka kujtoi se në muajin dhjetor Shqipëria me vendimin e vendeve anëtare dhe mbi bazën e rekomandimit pozitiv të KE-së çeli negociatat edhe për fushat e politikës së jashtme dhe sigurisë duke afirmuar se vendi është një partner i besueshëm i BE-së.

“Viti 2024 shënoi progres edhe në lidhje me reformat ekonomike të tregut tonë dhe tregut të BE-së. BE prezantoi dhe vuri në zbatim Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe për Shqipërinë. Shqipëria përgatiti axhendën e reformave europiane zbatimi i së cilës i krijon vendit një mundësi e një mbështetje të mirë prej 922 milionë eurosh për investime dhe reformat e tregut”, theksoi Dhuka.

Po ashtu, ajo nënvizoi se viti 2024 ka shënuar intensifikim të dialogut me të gjithë aktorët, ndërsa vlerësoi se duhet bërë më shumë në këtë drejtim.

“Prandaj unë përfitoj nga rasti për të bashkuar përpjekjet me komunitetin e biznesit për të vepruar më shumë së bashku drejt tregut europian gjatë vitit 2025. Gjatë vitit 2024 janë zhvilluar 75 tryeza diskutimi me grupet e interesit, ose 6-7 të tilla çdo muaj. Dialogu ka vazhduar në format të ndryshme. Pushteti vendor ka krijuar 61 zyra në nivelin vendor për të forcuar dialogun në çdo bashki ku janë ngritur këshillat e integrimit europian”, shtoi ajo.

Dhuka tha se progres raporti i BE-së për Shqipërinë në vitin 2024 ishte ndër më të mirët, duke njohur reformat dhe duke shënuar faktin se Shqipëria ka bërë progres në 32 fusha nga 35 gjatë vitit 2024.

“Sot Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në 24 nga fushat nga 33 të tilla sa i përket kritereve për anëtarësim, ndaj dhe them se Shqipëria është në miljet e fundit të rrugës së saj europiane. Gjatë vitit 2025 Shqipëria do të përmbyllë çeljen e negociatave për të gjitha fushat dhe të avancojmë me zbatimin e reformave të planit të Shqipërisë europiane”, theksoi Dhuka.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More