Shkup, 29 nëntor – Gratë e vendbanimeve rurale shpesh përballen me sfida unike kur bëhet fjalë për dhunën në familje. Këto sfida burojnë nga faktorë të ndryshëm social, ekonomik dhe kulturor, që janë më të theksuarat në mjediset rurale krahasuar me ato urbane.
Në vendbanimet rurale, paraqitja e dhunës akoma mbetet tabu temë, e cila është e mbyllur brenda mureve të shtëpisë dhe rri në heshtje duke u akumuluar akoma më shumë pa u paraqitur në institucionet e duhura. Gratë rurale nuk kanë qasje deri tek qendrat e grave për paraqitjen e dhunës të cilën ato e përjetojnë.
“Imagjino, ato asnjëherë nuk kanë transport publik dhe as mënyrë se si të arrijnë deri tek Qendra për Punë Sociale, në polici për paraqitjen e dhunës dhe ato nuk mund të marrin asnjë mbështetje nga organizatat joqeveritare, të cilat i ofrojnë këto mundësi për arritjen deri tek Qendrat për Paraqitjen e Dhunës, që kryesisht gjenden në qytetet më të mëdha, prandaj ato nuk kanë asnjë mbështetje. Ato gjithashtu përballen me norma të forta gjinore, d.m.th. se gratë e vendeve rurale paraqitjen e dhunës në familje e llogarisin si problematikë brenda familjes, kurse gratë e vendbanimeve më të mëdha kanë qasje më shumë deri tek informacionet.”, – deklaroi ekspertja, Neda Çarovska Dimovska.
“Nga të dhënat që i kemi nga Instituti shtetëror për statistika, rroga apo dallimi i pagave tek burrat dhe gratë jo vetëm që haset, por edhe tregon disa specifika dhe të diskriminimit të madh të grave në tregun e punës. Hendeku i pagave mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, në moshën 30-40 vjeç, në moshën kur gratë janë në moshën të vendosin të krijojnë familje, të lindin fëmijë, për këtë gjë nuk trajtohen sikur kolegët e tyre në tregun e punës, gjegjësisht kur të vendosin këtë gjë, shanset për të arritur në karrierë janë më të pakta dhe normalisht edhe të ardhurat e tyre janë më të ulëta. Kur ato janë më të dobëta ekonomikisht, del që ato nuk guxojnë të ndërmarrin hapa për paraqitjen e dhunës që u bëhet, sepse ato nuk janë në gjendje financiare për t’u përballur më tej.”, – theksoi Ana Bojçevski Mitrevska nga “Reaktor”.
Format e dhunës në familje zakonisht janë ato psikike, ekonomike, seksuale etj. Paraqitja dhe reagimi i institucioneve është i domosdoshëm, por edhe ndërgjegjësimi publik, ofrimi i mbështetjes psikologjike dhe juridike.