Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me fermerë në Dimal, nga ku bëri edhe prezantimin e programit PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
Në fjalën e tij, Berisha tha se subvencionet për fermerët do të rriten nga 32 milionë euro në 230 milionë euro.
“Unë vij sot tek ju për të parashtruar programin tonë, me të cilin duhet të garantojmë çdo fermer të Kutallisë të Beratit dhe të mbarë Shqipërisë se ky program ka si qëllim më kryesor suksesin dhe rritjen e mirëqenies të fermerëve shqiptarë, të cilët ndërtojnë jetën e tyre me lumenj djerse dhe sakrifice”, tha Berisha.
Bërisha nënvizoi se “nga 32 do kalojmë në 230 milionë me të cilat do subvencionojmë çdo fidan që do mbillni, çdo kokë bagëti që do mbani, çdo njësi prodhimi”.
Sipas Berishës “hapja e tregut ju bën ju të pamundur të konkurroni me ata që subvencionohen pesë herë më shumë se ju”.
“Shpesh ndoshta më keni dëgjuar të them se në këtë program, akti i parë që do bëjmë do jetë rikthimi i parave tek qytetarët. Ky nuk është slogan, por një realitet. Nga 380 mijë fermerë shteti merr taksën e vlerës së shtuar në çdo blerje që ata bëjnë. Paguajnë 20 për qind”, tha Berisha.
Berisha tha se “buxheti i shtetit, ka lënë këtë vit për fermerin, pa llogaritur ato të administratës që marrin rroga, 32 milionë euro”.