Ambasadori i Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato deklaroi sot se, lajmi se Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka ndërhyrë tek ODIHR-i në raportin e tij është totalisht i gënjeshtërt.
Në një prononcim për mediet pas një takimi me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, Gonzato u shpreh se, “Bashkimi Evropian as nuk ndërhyn, as nuk manipulon”.
“Kjo ishte thjesht një vizitë rutinë në Komision dhe te z. Celibashi për të marrë një përditësim mbi zgjedhjet. Por më lejoni, së pari, të flas për ‘elefantin në dhomë’. Do të doja të theksoja se, Bashkimi Evropian, të cilin unë e përfaqësoj këtu në Shqipëri, nuk ndërhyn dhe nuk manipulon. Dhe kjo është arsyeja pse bëra një hap mjaft të rrallë, atë të bërjes së një deklarate mohimi në shtyp dhe thashë se lajmi që u përhap se kishim ushtruar ndikim mbi ODIHR-in për të hequr emrat nga raporti i ndërmjetëm është krejtësisht i rremë. Dhe nëse njerëzit më njohin mua dhe nëse e njohin Bashkimin Evropian, ata e dinë se kjo është e rreme. Gjithashtu, çdo aktor politik e njeh metodologjinë e përdorur nga ODIHR-i në raportet e tij. ODIHR-i është plotësisht i pavarur dhe ne e respektojmë pavarësinë e tyre. Ne gjithmonë i mbështesim rekomandimet e tyre. Kjo është arsyeja pse po punojmë ngushtë me ta dhe mezi presim raportin e tyre përfundimtar”, tha Gonzato.
“Siç e thashë edhe më parë, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme sepse janë zgjedhjet e para që ndodhin që kur hapëm negociatat me Shqipërinë dhe hapëm “Themeloret”, të cilat kanë të bëjnë edhe me institucionet demokratike edhe me proceset demokratike. Erdha këtu për të takuar z. Celibashi, pasi doja të merrja një përditësim, por edhe për të parë se si mund të vazhdojmë ta mbështesim Komisionin. Ne kemi besim të plotë te Komisioni dhe pas zgjedhjeve do të vazhdojmë ta mbështesim atë edhe financiarisht për të përmirësuar vazhdimisht mënyrën tuaj të punës, Komisioner, dhe mendoj se keni bërë një punë vërtet fantastike deri më tani”, shtoi Gonzato.
I pyetur lidhur me pastrimin e parave në Shqipëri dhe nëse mund të ndikojnë paratë e krimit të organizuar në zgjedhje, Gonzato u shpreh se, “unë nuk jap vlerësime para zgjedhjeve. Ne kemi besim, siç thashë, tek ODIHR-i. Ata po bëjnë një punë të shkëlqyer dhe është një mision masiv që është i pranishëm këtu në Shqipëri. Siç e dini, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është në zemër të negociatave. Ne gjithashtu kemi besim të plotë te puna e bërë nga SPAK-u, kështu që patjetër do ta mbajmë nën vëzhgim edhe këtë”.
Sa i takon procesit të votimit të diasporës, që po zbatohet për herë të parë në Shqipëri, ambasadori Gonzato tha se, “mendoj se Komisioni ka bërë një punë fantastike. Sigurisht, ka sfida dhe z. Celibashi është më i përshtatshëm për t’i trajtuar dhe për të folur rreth tyre, por mendoj se procesi po kryhet në një mënyrë shumë transparente, gjë që është e rëndësishme. Ju mund të shihni të gjitha të dhënat në internet dhe nëse ka probleme, Komisioni është aty për t’i zgjidhur ato”.
I pyetur nëse reagimi i djeshëm ishte për Partinë Demokratike, Gonzato u shpreh se, “jo, nuk është për askënd. Është një deklaratë që thekson faktin se Bashkimi Evropian është këtu për të mbështetur Shqipërinë, për ta shoqëruar atë. Ne nuk jemi këtu për të ndërhyrë në procese. Ne nuk jemi këtu për të manipuluar asgjë. Dhe për këtë arsye, u shokova pak kur e pashë këtë, dhe ndjeva se duhej të reagoja. Nuk synon askënd. Synon thjesht atë informacion”.
Sa i takon problemeve që lidhen me krimin dhe korrupsionin që përmenden në raportin e Misionit të ODIHR-it, Gonzato tha se, “do t’i takojë ODIHR-it ta bëjë këtë vlerësim. Këto janë çështje që janë ngritur në mënyrë sistematike. Ju e dini që ne kishim shprehur shpresën që Parlamenti t’i miratonte të gjitha rekomandimet e ODIHR-it që përfshijnë financimin e fushatave, që përfshijnë edhe çështjet e shpifjes, si dhe aspekte të tjera të procesit zgjedhor. Ne besojmë se këto do të trajtohen shumë shpejt nga Parlamenti i ri, sepse këto janë çështje shumë të rëndësishme”.
I pyetur nëse ka ndonjë koment në lidhje me konceptin e kontratës së lobimit të Partisë Demokratike, ambasadori Gonzato theksoi se, “jo, nuk kam. Pres që autoritetet kompetente të japin mendimin e tyre”.