Do të ketë, apo nuk do të ketë “pare” për Akademinë Shqiptare?

nga I Z

Shkup, 22 tetor- Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë nevojë për një Akademi Shqiptare, sepse veçmë i kanë të themeluar tre universitete me mësim në gjuhën shqipe, prandaj është koha dhe momenti që të kenë edhe përfaqësim në nivelin akademik dhe do të angazhohemi edhe politikisht që kjo të jetë e mundur një ditë.

Ky është qëndrimi i koalicionit qeveritar shqiptar VLEN me të cilin paraqiten rreth idesë për themelim të kësaj Akademie, propozim që ka ngjallur shumë debat si brenda opusit ndërshqiptar, poashtu edhe në raportet shqiptarë-maqedonas, shkruan Zhurnal.

Deri sa propozimi kundërshtohet nga i giithë opinioni politik dhe intelektual maqedonas, kurse politika shqiptare është e ndarë rregh idesë në fjalë, VLEN thekson se veçmë janë duke punuar për zgjidhje ligjore me deputetët e tyre, dhe paralelisht po punojnë edhe me partnerin qeverisës, që sa më shpejtë ky projekt të gjej zgjidhje ligjore.

Pse Akademi Shqiptare?
Profesori universitar dhe njëri nga iniciuesit, Hasan Jashari thotë se formimi i Akademisë Shqiptare është në kuadër të dialogut shoqëror dhe se të gjithë shoqëritë të sensibilizohen dhe të na shohin si miq të shoqërisë dhe shkencës dhe jo si armiq.

Shkenca e mirëfilltë, si çdo sferë tjetër, kërkon përkrahje financiare, si kusht për rezultate më të avancuara, e kjo vlen edhe për themelimin e Akademisë Shqiptare.

Edhe këtu ekzistojnë dallime mjaft të mëdha në relacionin shqiptarë-maqedonas.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, ka thënë se nuk ka mundësi ligjore që komunat të financojnë punën e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, pas paralajmërimeve se këtë do ta bëjnë katër komunat, ajo e Tetovës, Gostivarit, Zhelinës dhe Çairit.

Perinski konsideron se do të ishte më e përshtatshme që komunat të punojnë në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve, sesa të ndajnë mjete për diçka që nuk do të ketë funksion në të ardhmen.

“Në thelb është përshkruar në mënyrë rigoroze në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale në nenin 11, ku thuhet se të hyrat e vetëqeverisjes lokale duhet të shpenzohen ekskluzivisht në kompetencat e përcaktuara në përputhje me ligjin, që në përkthim do të thotë se Ligji dëshiron të thotë se të gjitha mjetet që komuna mbledh në çfarëdo baze, i shpërndan përmes miratimit të vendimeve dhe buxheteve në mbledhjen e Këshillit dhe duhet të drejtohen ekskluzivisht për zbatimin dhe realizimin e kompetencave themelore ligjore të vetëqeverisjes lokale.

Akademia Shqiptare e Shkencave dhe e Arteve nuk qëndron në këto kompetenca. Komuna ka mundësi të financojë shoqatat dhe organizatat joqeveritare, por ato shoqata dhe organizata joqeveritare në njëfarë mënyre duhet t’i zbatojnë kompetencat themelore për të cilat ekziston ajo vetëqeverisje lokale, ligji duhet të lexohet drejt, nuk ka mundësi ligjore për një gjë të tillë”, thekson Perinski, duke shprehur qëndrimin që përfaqëson i gjithë spektri politik maqedonas.

Mirëpo, qëndrim tjetër mbajnë politikanët shqiptarë në qeveri. Kreu i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, sot edhe një herë ka përsëritur qëndrimin e shprehur nga gjithë liderët e VLEN-it, se nuk ka asnjë pengesë ligjore që komunat të financojnë Akademinë Shqiptare për Art dhe Shkencë. Madje Kasami tha se ky financim do të parashihet në buxhetin e komunave për vitin 2025, shkruan Zhurnal.

“Është çështje e qartë edhe në bazë të ligjit edhe në bazë të përcaktimit të katër kryetarëve të komunave të cilët u zotuan se në periudhën e ardhshme do të përkrahin këtë inciativës fisnike. Patjetër , kjo në bazë të kalendarit apo dinamikës së miratimit të buxhetit për vitin 2025, do të futet edhe kjo si pikë”, shtoi Kasami.

Në anën tjetër i kemi edhe vërejtjet dhe rezervat e opozitës shqiptare, por që janë të një natyre krejtësisht tjetër nga kundërshtimet e subjekteve maqedonase.

BDI-ja nuk e mbështet nismën e koalicionit VLEN për Akademinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, e madje sipas Sekretarit të saj të përgjithshëm, Faton Ahmeti, nisma e tillë është e dëmshme, sepse “bëhet fjalë për një organizatë joqeveritare dhe jo një akademi të mirëfilltë”.

“Është devalvuar një akademi e paralajmëruar nga niveli i akademisë në nivel të një organizate joqeveritare. Mendoj që nuk ja vlen të bëhemi pjesë e projekteve të tilla, të cilat e devalvojnë atë që përfaqësohet shqiptare çështjen e akademisë në këtë rast. Dmth nuk jemi pjesë e planeve dhe nuk jemi pjesë e projekteve të tilla”, ka thënë Ahmeti, duke shtuar se
nuk janë të interesuar për të mbështetur projekte të cilat “cënojnë interesin e shqiptarëve dhe projekte të cilat denigrojnë atë që është shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.

Mes kundërshtimeve ndëretnike dhe brendaetnike, Akademia Shqiptare me siguri do vazhdon të jetë temë debati deri në fund të vitit, e me siguri edhe vitin e ardhshëm. Sidoqoftë, është mirë dhe e domosdoshme, që ky debat sa më pak të zhvillohet në politikë dhe të transferohet në sferën shkencore, me një nivel të merituar./Zhurnal

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More