Shkup, 17 dhjetor – Me nënshkrimin e 9 deputetëve nga shumica qeverisëse, në Kuvend është dorëzuar Propozim-Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal. Sipas propozuesve, me ndryshimet e propozuara ashpërsohet politika ndëshkuese përmes “rishikimit dhe plotësimit” të nenit 353, i cili ka të bëjë me raste “me profil të lartë”, përkatësisht me keqpërdorimin e pozitës zyrtare nga bartës të funksioneve në nivele të ndryshme të pushtetit.
Në tekstin e propozuar, neni 353 ndryshohet si në lidhje me kohëzgjatjen e dënimit të paraparë, ashtu edhe me gradacionin e veprës penale në raport me dëmin e shkaktuar.
Ja çfarë thuhet në propozimin për ndryshimin e nenit 353:
(1) Personi zyrtar i cili, duke shfrytëzuar pozitën ose autorizimin e tij zyrtar, duke i tejkaluar kufijtë e autorizimit zyrtar ose duke mos e kryer detyrën e tij zyrtare, do të përfitojë për vete ose për tjetrin ndonjë dobi pasurore ose do t’i shkaktojë tjetrit dëm apo do t’i cenojë rëndë të drejtat e tjetrit, nëse nuk janë përmbushur elementet ligjore të ndonjë vepre tjetër penale më të rëndë, do të dënohet me burg prej gjashtë muajsh deri në tre vjet.
(2) Nëse kryerësi i veprës nga paragrafi (1) i këtij neni përfiton dobi pasurore më të madhe ose shkakton dëm më të madh, do të dënohet me burg prej një deri në pesë vjet.
(3) Nëse kryerësi i veprës nga paragrafi (1) i këtij neni përfiton dobi pasurore të konsiderueshme ose shkakton dëm të konsiderueshëm, do të dënohet me burg prej një deri në tetë vjet.
Propozohet gjithashtu një paragraf krejtësisht i ri në nenin 353, i cili inkriminon keqpërdorimet në procedurat e prokurimit publik.
“Personi zyrtar ose personi përgjegjës i cili, në kundërshtim me ligjin, furnizon mallra, shërbime ose punë pa zbatuar procedurë të prokurimit publik në rastet kur ka qenë i detyruar ta zbatojë atë, ose bën ndryshime në kontratën e prokurimit publik ose në marrëveshjen kornizë gjatë vlefshmërisë së tyre, në kundërshtim me ligjin dhe mbi pragun e vlerës së përcaktuar me ligj, do të dënohet me burg prej një deri në tetë vjet, ndërsa nëse me veprën nga ky paragraf është përfituar dobi pasurore në përmasa të mëdha ose është shkaktuar dëm pasuror në përmasa të mëdha, kryerësi do të dënohet me burg prej katër deri në dhjetë vjet.” – thuhet në tekstin e propozuar.
Ndryshime propozohen edhe në nenin 353-v, i cili përfshin persona zyrtarë dhe përgjegjës në ndërmarrje publike dhe institucione publike. Propozohen këto paragrafë:
(1) Personi zyrtar ose personi përgjegjës në ndërmarrje publike ose institucion publik, i cili me shkelje të dispozitave ligjore për konflikt interesi ose për veprim të ndërgjegjshëm gjatë ushtrimit të autorizimit diskrecional, me mosushtrimin e mbikëqyrjes së detyrueshme, fiton për vete ose për tjetrin ndonjë dobi pasurore ose i shkakton tjetrit dëm, do të dënohet me gjobë ose me burg deri në tre vjet.
(2) Nëse kryerësi i veprës nga paragrafi (1) i këtij neni fiton dobi pasurore më të madhe ose shkakton dëm pasuror më të madh ose i cenon rëndë të drejtat e tjetrit, do të dënohet me burg prej gjashtë muajsh deri në tre vjet.
(3) Nëse kryerësi i veprës nga paragrafi (1) i këtij neni fiton dobi pasurore të konsiderueshme ose shkakton dëm të konsiderueshëm, do të dënohet me burg prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.
Nevoja për ndryshime në Kodin Penal është evidentuar nga të gjitha institucionet dhe organizatat relevante ndërkombëtare për luftën kundër krimit.
“Tendenca e ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore të propozuara është avancimi i dispozitave për elementet ligjore të veprave penale dhe ashpërsimi i politikës ndëshkuese përmes rritjes së dënimeve të parashikuara ekzistuese për veprat penale ‘Keqpërdorimi i pozitës dhe autorizimit zyrtar’ nga neni 353 dhe ‘Shoqatë kriminale’ nga neni 394. Në këtë mënyrë do të eliminohen dobësitë e identifikuara në dispozitat ekzistuese të këtyre veprave penale, veçanërisht në drejtim të ashpërsimit të politikës ndëshkuese me qëllim të rikthimit të funksionit të saj parandalues dhe represiv. Njëkohësisht, me këtë qasje do të veprohet në përputhje me vërejtjet në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023 dhe do të rivendoset një kornizë reale dhe e qëndrueshme ligjore për forcimin e luftës kundër korrupsionit të lartë” – thuhet në arsyetimin e propozimit për ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Penal.
Gjithashtu propozohet ashpërsim i politikës ndëshkuese edhe në nenin 394 për veprën penale “Shoqatë kriminale”.