Shkup, 7 gusht – Një hap i rëndësishëm drejt forcimit të shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimit të infrastrukturës njerëzore është bërë sot në Kumanovë. Shtëpia e Shëndetit Publik, nën drejtimin e Dr. Sedat Zulbearit, ka realizuar 15 punësime të reja, duke e rritur ndjeshëm kapacitetin profesional dhe operativ të këtij institucioni jetik për qytetin dhe rrethinën.
Drejtori Sedat Zulbeari theksoi se: “Për ne, qytetari është në qendër të çdo vendimi. Punësimet e sotme nuk janë vetëm numra, ato janë garanci për më shumë kujdes, më shumë praninë dhe më shumë profesionalizëm. Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë po ringjallet dhe do të vazhdojmë me hapa të tjerë konkretë në këtë drejtim”.
Kjo është hera e parë pas shumë vitesh që ky institucion shëndetësor arrin të realizojë një hap kaq të madh në aspektin e fuqizimit të kapaciteteve njerëzore. Ky zhvillim vjen në një kohë kur Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë janë të përkushtuara për të barazuar qasjen në shërbimet shëndetësore për të gjithë qytetarët e vendit.