Edhe me VLEN-in në qeveri 28 Nëntori akoma jashtë festave zyrtare në RMV!

nga I.A

Shkup, 28 nëntor – Nëntori ka një peshë të veçantë historike për shqiptarët sepse përmbledh ngjarje dhe data që lidhen me identitetin dhe shtetformimin tonë kombëtar. Megjithatë, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sipas Ligjit për festat, e vetmja ditë zyrtare për shqiptarët është 22 Nëntori – Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Në praktikë, megjithëse nëntori konsiderohet gjerësisht si “muaji i shqiptarëve”, 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, mbetet një ditë e zakonshme pune për të gjithë qytetarët e vendit. Kjo po ndodhë edhe me VLEN-in në pushtet, pasi akuza të ngjashme ka pasur vazhdimisht duke theksuar se është paaftësi e BDI-së, shkruan Zhurnal.

As me VLEN-in nuk po zyrtarizohet si festë 28 Nëntori –

Me ardhjen e VLEN-it në pushtet mbase pritej ndryshim në çdo sferë, edhe si nevojë por edhe si premtim i tyre. Por, kur jemi te festat e Nëntorit posaçërisht 28 Nëntori i bie që akoma nuk e kanë shtyrë këtë çështje si të rëndësishme që duhet të definohet.

Kjo përbën një paradoks të dukshëm sidomos po të kemi parasysh se komunitetet e tjera etnike në RMV i kanë të përcaktuara dhe të pranuara zyrtarisht ditët e tyre kombëtare 8 prilli si Dita e Romëve, 23 maji si Dita e Vllehëve dhe 28 shtatori si Dita Ndërkombëtare e Boshnjakëve. Ndërkohë, shqiptarëve popull shtetformues u mohohet zyrtarizimi i 28 Nëntorit, edhe pse kjo ditë ka një rëndësi të padiskutueshme historike, kulturore dhe emocionale.

Pavarësisht kësaj, 28 Nëntori vazhdon të festohet gjallërisht nga shqiptarët kudo në RMV në shkolla, në organizata të ndryshme, nga studentët dhe nga vetë qytetarët. Shpeshherë sektori privat është ai që mundëson pushim për punonjësit shqiptarë, duke e shpallur me vetiniciativë këtë ditë si ditë jo pune. Ndërsa politikanët shqiptarë të cilët do të duhej ta shtynin përpara këtë çështje vazhdojnë të mos e trajtojnë me prioritet.

Pse nuk zyrtarizohet 28 Nëntori?

Në thelb, arsyeja qëndron tek mungesa e vullnetit politik. Edhe pse pothuajse çdo shqiptar do ta dëshironte 28 Nëntorin si ditë pushimi, përfaqësuesit politikë shqiptarë përgjatë viteve nuk e kanë ngritur kurrë seriozisht këtë kërkesë. Përplasjet politike, nevoja për të ruajtur balancat etnike dhe frika nga pakënaqësitë e palës tjetër kanë bërë që kjo çështje të lihet në heshtje.

Fakti që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka përcaktuar vetëm 22 Nëntorin si festë për shqiptarët ngrit dilema të justifikuara pse vetëm kjo ditë? Pse jo edhe 28 Nëntori? Dhe si mund të konsiderohet e mjaftueshme një ditë që shënon alfabetin, kur në realitet gjuha shqipe në RMV vazhdon të zbatohet me mangësi dhe shpesh të anashkalohet, pavarësisht statusit të saj zyrtar?

Defaktorizimi politik dhe pasoja mbi të drejtat e shqiptarëve –

Një ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti është fragmentimi politik shqiptar. Shqiptarët përfaqësohen nga rreth dhjetë parti, një numër i tepruar që çon në shpërndarje të votave dhe në dobësimin e fuqisë politike. Megjithëse zgjedhjet e fundit sollën njëfarë konsolidimi në dy blloqe kryesore, pasojat historike të përçarjes vazhdojnë të ndihen nga vështirësitë në zbatimin e gjuhës shqipe, te çështja e flamurit, e deri te të drejtat në administratë e festivitetet kombëtare.

Diskriminimi institucional ndaj shqiptarëve në RMV ka qenë i pranishëm për dekada qoftë në arsim, punësim, përdorimin e simboleve apo të gjuhës. Ajo që e bën situatën edhe më problematike është heshtja e institucioneve të Shqipërisë, të cilat, sipas Kushtetutës së vet, duhet të kujdesen edhe për shqiptarët jashtë kufijve të saj.

Kujtojmë që, 28 Nëntori do të mund të bëhej festë zyrtare në RMV vetëm kur të ketë vullnet politik real nga partitë shqiptare, nga institucionet e shtetit dhe me mbështetje ndërkombëtare për të trajtuar shqiptarët me standardet që u takojnë si popull shtetformues. Deri atëherë, festa kombëtare më e rëndësishme për shqiptarët do të vazhdojë të shënohet vetëm me zemër, por jo me status zyrtar. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More