Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka ndarë përvojën e tij personale pas një aksidenti trafiku që pësoi të hënën në zonën e njohur si “Kroni i Mbretit”.
Berisha falënderoi publikisht Policinë e Kosovës dhe stafin mjekësor për ndihmën e tyre profesionale, duke përshkruar momentet e vështira që përjetoi.
“Fatkeqësisht, të hënën u përfshimë në një aksident jo të lehtë,” shkroi Berisha në rrjetet sociale. “Janë ato momentet kur të shfaqen fytyrat e fëmijëve dhe njerëzve të dashur”, u shpreh tutje ai.
Berisha vlerësoi posaçërisht një police nga Gjilani, e cila ishte e para që i dha ndihmën e parë.
“Engjëlli im mbrojtës erdhi në formën e një policeje nga Gjilani, që më dha ndihmën e parë në mënyrë profesionale dhe u përkujdes për ne derisa u sigurua transporti”, shkroi deputeti.
Ai gjithashtu falënderoi ekipin mjekësor të Klinikës Ortopedike dhe Traumologjike, veçanërisht Dr. Arber Tolajn, për kujdesin e dhënë gjatë trajtimit të tij.
Postimi i plotë:
Të dashur miq dhe dashamirë,
Si njeri, si deputet dhe si Kryetar i Komisionit për Siguri, gjithmonë kam synuar të përdor zërin dhe kontributin tim për të forcuar sigurinë njerëzore. Kam tentuar me të gjitha forcat të nxis ndërgjegjësimin për rëndësinë e sigurisë në rrugë, duke qenë dëshmitar i shumë humbjeve të jetëve në trafik.
Fatkeqësisht të Henën, u përfshimë në një aksident jo të lehtë në e vendin e njohur i “Kroni i Mbretit.”
Per ata qe e kane perjetuar kur peson aksident, jane ato momentet kur te shfaqen fytyrat e femijeve dhe njerezve te dashur. Vetedijen ma ktheu “engjëlli im mbrojtës” qe erdhi në formën e një policeje nga Gjilani.
Ajo më dha ndihmën e parë në mënyrë profesionale,dhe u perkujdes per ne derisa u sigurua transporti. Do te doja shume ta gjej dhe falënderoja personalisht.
Pas kësaj, pata fatin që të transportohesha në mënyrë të sigurt në QKUK nga bashkëluftëtarja dhe kolegia ime e nderuar, mjekja jonë, Time Kadrijaj. Mirenjohes pa fund!
Më pas, bashke me Pellazgun morem ndihmën e nevojshme në emergjencën e QKUK-së nga ekipi i jashtëzakonshëm i front-liners, të cilëve u jemi pafundësisht mirënjohës.
Per operimin dhe kujdesin,dua të falënderoj ekipin e udhëhequr nga Dr. Arber Tolaj në Klinikën Ortopedike dhe Traumologjike, që me përkushtim po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes sime dhe të shumë qytetarëve tanë që aktualisht janë duke u trajtuar në këtë Klinikë. Nuk mund t’i them vetëm faleminderit, por i inkurajoj të vazhdojnë me punën e tyre të shkëlqyer.
Pafundësisht ju falënderoj të gjithëve për vizitat, thirrjet dhe mesazhet e shumta. Jau kthefsha për të mirë! Një falënderim i veçantë për shokët dhe familjen që më qëndruan pranë çdo moment gjatë këtyre ditëve.
Së fundmi, një mesazh për të rinjtë:
“Përshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës është jetike. Por, mos harroni që rripi i sigurimit është ai që mund t’ju shpëtojë jetën në momente të papritura”!