Esposito: Përdorim i tepruar dhe i paarsyetuar i masës së paraburgimit në Shqipëri

nga D. V.

Drejtori i Përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit në Këshillin e Europës, Gianluca Esposito e konsideroi mbipopullimin e burgjeve në Shqipëri sfidë, ndërsa tërhoqi vëmendjen mbi praktikat e paraburgimit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pjesë nga prononcimi i djeshëm i Espositos në Tiranë, ndërsa u shpreh se “arresti me burg pa gjyq si praktikë normale në Shqipëri, ka sjellë rezultatin skandaloz të një vendi europian me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur, duke alarmuar Këshillin e Europës”.

Esposito u shpreh se mbipopullimi i burgjeve mbetet sfidë e madhe për administratën shqiptare të burgjeve.

“Këtë e thotë Komiteti ynë për Parandalimin e Torturës. Paraburgimi mund të justifikohet në një rast të caktuar vetëm nëse ekzistojnë tregues specifikë për një nevojë reale të interesit publik. Gjykata për të Drejtat e Njeriut vëren gjithashtu se ‘autoritetet gjyqësore kombëtare duhet të marrin në konsideratë marrjen e masave më pak dëmtuese sesa paraburgimin në fazën para nisjes së gjyqit, në varësi të rrethanave specifike të çështjes’”, shtoi ai.

Sipas tij “është përgjegjësi e autoriteteve gjyqësore kombëtare të sigurojnë që në një rast të caktuar paraburgimi i një personi të akuzuar të mos tejkalojë një afat të arsyeshëm”.

“Gjykata për të Drejtat e Njeriut thotë qartë se barra e provës në këto raste nuk duhet të përmbyset duke ia ngarkuar personit të ndaluar detyrimin për të provuar ekzistencën e arsyeve që justifikojnë lirimin e tij. Problemi kryesor i praktikës së paraburgimit në Shqipëri është përdorimi i tepruar dhe i paarsyetuar mjaftueshëm i kësaj mase veçanërisht në gjykatat e shkallës së parë dhe gjatë rishikimeve periodike”, theksoi Esposito.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More