Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGj), vendosi sot mos të nisë procedurën e verifikimit të statusit të gjyqtares Irena Gjoka, gjyqtare pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GjKKO).
Më gjashtë vota kundër, anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor rrëzuan relacionin e përgatitur nga katër anëtarë të KLGj-së, pas materialit të dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje dënimin e Gjokës në Greqi për falsifikim dokumentesh.
Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk pranoi ta merrte në shqyrtim çështjen me argumentin se dosja duhet t’i kalojë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.
Media raportoi se Ridvan Hado, anëtar i KLGj-së, teksa po shpjegonte votën kundër u shpreh se këshilli ka rol aktiv vetëm në rastin kur shkaku i pazgjidhshmërisë, i papajtueshmërisë, ka lindur para fitimit të statutit.
“Në raste e tjera kur pazgjidhshmëria ka lindur pas fitimit të statusit, duhet t’i dërgohet ILD. Kështu kemi vepruar edhe në raste të tjera. Nuk kemi kushtet që ta marrim ne direkt, duhet t’ia dërgojmë ILD-së. Prandaj jam kundër relacionit”, tha Hado.
Prokuroria e Përgjithshme nisi verifikimin për gjyqtaren Irena Gjoka pas një shkrimi të publikuar në mediet greke se është dënuar në vendin fqinj për falsifikim dokumentesh.
Irena Gjoka ështe edhe gjyqtarja paraprake e dosjes “Partizani”, në të cilën është marrë i pandehur ish-kryeministri Sali Berisha.