Eurointegrimi, Ramadani: Viti 2025 s’do të jetë shpresëdhënës

nga Xh M

Shkup, 7 janar – 2025-ta nuk do të jetë vit premtues për vendin në rrafshin e eurointegrimeve. Stagnimi gjatë vitit që po lëmë pas zbeh shpresat se mund të ecim drejt Unionit, thotë analisti politik, Ismet Ramadani. Ai në këtë pikë ia vesh fajin VMRO – DPMNE-së, kryesisht kryeministrit, Hristijan Mickoski, me deklarimet e tij publike. Sipas Ramadanit, edhe gjatë vitit 2025 VMRO-DPMNE-ja do të jetë peng i deklaratave dhe qëndrimeve të fushatës parazgjedhore të parlamentareve se nuk bëjnë kompromise me identitetin maqedonas. Madje, sipas tij, kjo retorikë do të theksohet në zgjedhjet lokale duke kënaqur kureshtjen e elektoratit të tyre.

“Në fakt ata gjithnjë do ta përdorin fjalinë që e kemi dëgjuar se janë për t’u anëtarësuar në BE, por nuk duan kompromise dhe nuk duan diktate në lidhje me atë që ata e thonë identitet maqedonas. Kështu që na ngel neve si faktorë politikë shqiptarë, që ta mendojmë mirë këtë qëndrim të VMRO – DPMNE-së, të ndërtojnë qëndrime me porosi pak më serioze drejt VMRO – DPMNE-së se nuk pajtohemi, pra që të bllokohet ose ndalet integrimi në Bashkimin Evropian.”, – deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.

Qeveria Mickoski, zgjidhjen e kontestit e pretendonte me formimin e Qeverisë stabile bullgare, e cila me sa duket e ka të vështirë të unifikohet pas dështimit të bisedimeve të fundit të partisë më të fuqishme GERB të Bojko Borisovit me tre parti të tjera. Kontestues mbetet emri i kryeministrit të dominuar, Rosen Zheljaskov. Por, analisti Ismet Ramadani thotë që pritja e formimit të Qeverisë stabile bullgare është vetëm arsyetim i VMRO-së.

“Këto janë fjalë sa për të arsyetuar qëndrimin e VMRO – DPMNE-së që mban karshi Bullgarisë dhe karshi BE-së se përndryshe nga përvoja ime dhe nga kontaktet që kanë edhe me pjesën më progresive të Bullgarisë në bërjen e politikave dhe të opinionit të Bullgarisë, unë nuk kam kuptuar deri më tani se ka ndonjë subjekt ose individ që bën lëshime në aspekt të asaj që është qëndrimi i Bullgarisë deri në kompromisin që ishte në marrëveshjen kornizë për negociata, respektivisht integrimet që i ka miratuar edhe BE-ja.”, – theksoi analisti politik, Ismet Ramadani.

Sofja zyrtare vazhdon të insistojë në ndryshimet kushtetuese ku do të përfshihej komuniteti bullgar në Maqedoninë e Veriut, e që është parakusht për hapjen e kapitujve për anëtarësim. Qeveria edhe pse deklarativisht nuk heq dorë nga Bashkimi Evropian, nuk pranon hapjen e Kushtetutës pa marrë garanci se kjo do të ishte kërkesa e fundit. Ky shtrëngim i kërkesave ndau vendin nga Shqipëria, e cila hapi kapitujt për anëtarësim në Union.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More