Shkup, 10 nëntor – Kur ilaçi nuk jep rezultatin e dëshiruar, pacienti shpeshherë shkon disa herë në barnatoren më të afërt për këshillë. Endja e pacientëve nga mjeku amë deri te barnatorja do të ndërpritet nëse farmacistëve u mundësohet të përfshihen në sistemin “Termini Im”.
Farmacistët kërkojnë të ekzistojë një dosje farmaceutike, ku ata do të mund të shënojnë nëse ndonjë ilaç nuk i përshtatet pacientit, në mënyrë që mjeku amë ta ndryshojë terapinë. Shoqata e barnatoreve private është takuar me të gjithë ministrat dhe nga ministri aktual Azir Aliu presin që ta pranojë këtë propozim.
Nga Ministria e Shëndetësisë njoftuan se do të intensifikohen proceset e digjitalizimit në sektorin e shërbimeve farmaceutike. Qytetarët reagojnë se çmimet e barnave janë më të larta se në vendet fqinje. Bozhinovska thotë se barnat kanë çmime unike në të gjitha barnatoret në vend.
Farmacistët theksojnë se sa më shpejt duhet të përfshihen në llogarinë e shtetit edhe barnat e kombinuara, pasi kështu do të ulet kostoja për qytetarët. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ashtu si paraardhësit e tij, premtoi se lista pozitive e barnave do të përditësohet dy herë në vit.
Vitin e kaluar, në shtator, lista pozitive u pasurua me barna të reja – 9 gjenerikë, që do të thotë se 87 ilaçe u bënë të disponueshme për qytetarët në kurriz të Fondit të Shëndetësisë.