Ferizaj, 70-vjeçari kapet me sasi armësh në shtëpi dhe depo të improvizuar për modifikimin e tyre

nga L. M

Policia në Ferizaj ka kryer kontroll në shtëpinë dhe prona të tjera të një të dyshuari 70-vjeçar dhe ka gjetur 11 armë pa leje.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, aksioni i datës 06.08.2025 u krye në bazë të një urdhërese të Gjykatës Themelore në Ferizaj, e cila është lëshuar me kërkesë të Prokurorisë Themelore.

“Gjatë kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit J.I. (M/K), i moshës 70 vjeç, në Ferizaj, janë gjetur dhe sekuestruar gjithsej 8 armë të gjata dhe 3 pistoleta pa leje”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka bërë të ditur se armët ishin shpërndarë në dhoma të ndryshme të shtëpisë dhe në një depo të improvizuar, që dyshohet se përdorej për modifikimin e tyre.

“Po ashtu, janë gjetur pjesë të ndryshme armësh dhe një sasi e konsiderueshme municioni të kalibrave të ndryshëm”- thekson tutje Policia.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar nisjen e procedurave penale ndaj të dyshuarit për dy vepra: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Fshirja, heqja apo ndryshimi i kundërligjshëm i shenjave në armë zjarri apo në municion”

Policia ka njoftuar se 70-vjeçari është shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj për intervistim.

“Për veprimet e mëtutjeshme do të njoftoheni përmes një raporti shtesë” – përfundon komunikata e Policisë.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More